Mbi 50 mijë pjesëmarrës në protestën e opozitës në Ankara, lideri opozitar: Erdogan, a e ke parë ndonjëherë sheshin kështu?

14/09/2025 21:26

Të paktën 50 mijë njerëz morën pjesë në një demonstratë në Ankara nga partia më e madhe opozitare e Turqisë, Partia Republikane Popullore (CHP) sot, përpara një seance dëgjimore para një gjykate në kryeqytetin turk që mund të çojë në anulimin e rezultateve të kongresit të partisë në nëntor 2023 për “mashtrim zgjedhor” dhe heqjen e legjitimitetit të udhëheqjes së saj.

Protestuesit u mblodhën në sheshin e madh Tandoghan të kryeqytetit turk, duke mbajtur flamuj turq dhe duke veshur bluza me portretin e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës Turke.

Duke folur nga podiumi i tubimit, kreu i Partisë Republikane Popullore, Ozgur Ezel, tha se turma ishte atje “për të kundërshtuar grushtin e shtetit gjyqësor kundër CHP-së”.

“Kjo qeveri nuk dëshiron demokraci. Ajo e di që nuk mund të fitojë zgjedhje nëse ka demokraci. Nuk dëshiron drejtësi, ajo e di që, nëse drejtësia vihet në vend, nuk do të jetë në gjendje të fshehë krimet e saj”, tha lideri i opozitës turke.

Pretendohet se procesi gjyqësor synon të dobësojë CHP-në, partinë më të vjetër politike të Turqisë, e cila arriti një fitore të rëndësishme kundër AKP-së së presidentit, Tayyip Erdogan në zgjedhjet lokale të vitit 2024 dhe po rrit forcën e saj sipas sondazheve.

Gjatë demonstratës së sotme, Ozgur Ezel bëri pyetjen: “Erdogan, a e ke parë ndonjëherë sheshin Tandoghan kështu?”, ndërsa protestuesit brohoritën “Erdogan, jep dorëheqjen!”

Top Channel