
Kriza në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e saj të 709-të, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hamasit mbeten të larta, veçanërisht pas sulmeve të fundit izraelite në Katar dhe përgatitjeve për njohjen ndërkombëtare të shtetësisë palestineze në OKB.
Në këtë klimë të ashpër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë të fortë, duke akuzuar drejtpërdrejt udhëheqësit e Hamasit që ndodhen në Katar si përgjegjës për zvarritjen e konfliktit.
“Udhëheqësit terroristë të Hamasit që jetojnë në Katar nuk interesohen për popullin e Gazës. Ata kanë bllokuar të gjitha përpjekjet për një armëpushim për të zvarritur luftën për një kohë të pacaktuar. Heqja dorë prej tyre do të hiqte pengesën kryesore për lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe përfundimin e luftës,” shkroi Netanyahu në platformën X.
Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, mbërriti në Izrael për të konfirmuar mbështetjen e fortë të administratës së Donald Trump për aleatin e saj strategjik, pavarësisht kritikave ndërkombëtare për veprimet ushtarake izraelite.
Vizita vjen në një moment kur disa vende po përgatiten të njohin shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke shtuar edhe më shumë presion diplomatik ndaj Tel Avivit.
Ndërkohë, të shtunën pasdite, një flotë me 18 anije të misionit humanitar “Sumud” u nis nga Augusta, në Sicili, drejt Gazës, në përpjekje për të dërguar ndihma për popullsinë civile të zhytur në një krizë të thellë humanitare.
Sipas ushtrisë izraelite, më shumë se 250,000 palestinezë janë evakuuar nga Qyteti i Gazës, ndërsa sulmet ajrore dhe luftime të përhapura vazhdojnë në pjesë të ndryshme të territorit.
Deklaratat e Netanyahu-t dhe prania e Marco Rubios në Izrael ndodhin në një moment kyç, kur diplomacia globale është në një pikë kritike midis përpjekjeve për armëpushim dhe nismave të reja për njohjen e Palestinës si shtet i pavarur.
Nëse udhëheqësit e Hamasit në Katar do të përbëjnë ende një “pengesë për paqen”, siç shprehet Netanyahu, apo do të ketë një kthesë diplomatike, mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme.
Top Channel