Lufta me insektet që helmon perimet/ Specat e ndaluar në Slloveni, fermerët nga Fieri gabuan dozat dhe mbingarkuan produktin

14/09/2025 13:55

Disa ditë më parë, shteti slloven bllokoi dhe asgjësoi 3.2 ton me speca që si origjinë kishin Shqipërinë. Sipas analizave të bëra, këto prodhime bujqësore rezultuan me ngarkesë të lartë kimikatesh.

Edhe pse tre insekticidet e përdorura janë pjesë e listës së PMB-ve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe e BE-së, dy fermerët shqiptarë nga Fieri, kësaj here gabuan me dozën, pasi i spërkatën specat më shumë sesa duhej.

Ndaj fermerëve që prodhuan speca me kimikate, u mor masa administrative – paralajmërim dhe jo dënim.

Agim Agolli, specialist agronomie thotë: “AKVMB shkoi në terren dhe realizoi gjurmueshmërinë, dhe rezultoi që fermerët ishin nga Qarku i Fierit dhe kanë aplikuar tre preparate bujqësore. Ata e pranojnë që kanë përdorur më tepër kimikate seç duhet. Ndaj tyre, sipas ligjit të inspektimeve, u mor masa administrative – paralajmërim, dhe në rast përsëritjeje do të dënohen me gjobë e deri në burgim.”

Specat e spërkatur me tre insekticide u prodhuan nga dy fermerë të fshatit Zharrëz të Fierit. Bujku shqiptar, në shumë raste, duke rendur pas fitimit, abuzon me cilësinë duke mos respektuar karencën dhe frekuencën e spërkatjes.

Eksperti i bujqësisë, Shpend Shahini thotë: “Kushtet klimaterike kanë bërë që sëmundjet të jenë më tepër rezistente dhe kjo bën që fermerët të shtojnë numrin e spërkatjeve, duke mos respektuar karencën, që është dhe koha e shpërbërjes së kimikatit.”

Por historia e pompës me kimikate mund të marrë fund nëse fermerët përqafojnë metodën e re, që është ajo e kontrollit biologjik.

“E gjitha kjo mund t’i përkasë të shkuarës. Fermerët duhet të përdorin kontrollin biologjik, ku një organizëm i gjallë sulmon një tjetër organizëm, dhe kështu ulet numri i spërkatjeve”, shton Shahini.

Top Channel