“Edhe nëse s’jeni dakord me të, dërgojini dashuri”/ Coldplay ndal koncertin dhe kujton Charlie Kirk: Familja e tij ka nevojë

14/09/2025 10:24

Vrasja tronditëse e aktivistit konservator Charlie Kirk ka shkaktuar një valë reagimesh në mbarë botën, me figura të njohura nga politika, arti dhe muzika që kanë shprehur publikisht trishtimin dhe shqetësimin e tyre për krimin që ka lënë gjurmë në opinionin amerikan dhe ndërkombëtar.

Një nga mesazhet më të përfolura erdhi nga Chris Martin, frontmeni i grupit legjendar Coldplay, gjatë koncertit të tyre madhështor në Wembley Stadium, në Londër.

Gjatë një momenti të qetë në koncert, Chris Martin iu drejtua mijëra të pranishmëve me një mesazh të ndjerë: “Dërgoni dashuri kudo që dëshironi. Ka kaq shumë vende që kanë nevojë për të sot. Mund t’ia dërgoni motrës, vëllait, dikujt që po kalon kohë të vështira… mund t’ia dërgoni familjes së Charlie Kirk, apo familjes së kujtdo që po përballet me dhimbje.”

Ai i ftoi të gjithë të pranishmit të ngrinin duart si simbol i këtij mesazhi, duke shtuar se dashuria nuk duhet të kufizohet vetëm për ata me të cilët pajtohemi: “Dërgoni dashuri edhe për njerëzit me të cilët nuk jeni dakord. Dashuria është më e fortë se çdo përçarje.”

Publiku reagoi me heshtje dhe respekt, duke ndjekur me vëmendje dhe ndjeshmëri fjalët e tij.

Chris Martin nuk e kufizoi mesazhin vetëm në rastin e Kirk. Ai përmendi edhe vendet që aktualisht përballen me konflikte dhe tragjedi njerëzore: “Mund t’u dërgoni dashuri njerëzve paqësorë në Lindjen e Mesme, në Ukrainë, në Rusi, në Sudan, në Somali… Kudo që mendoni se kanë nevojë për pak dashuri nga Londra.”

Ky moment emocional në skenë është bërë viral në rrjetet sociale, me shumë ndjekës që e cilësojnë si një nga deklaratat më të sinqerta dhe bashkuese që është dëgjuar pas ngjarjes tragjike në SHBA.

Ndërsa vrasja e Charlie Kirk ka ndezur debat të fortë politik dhe mediatik në SHBA, mesazhi i Chris Martin vjen si një thirrje për humanizëm dhe unitet, në një kohë kur shoqëritë po përballen me ndarje gjithnjë e më të thella.

Këngëtari i Coldplay, me fjalët e tij të thjeshta, por të fuqishme, solli një kujtesë se empatia nuk ka anë politike – dhe se në fund, dashuria është ajo që mbetet.

Top Channel