Detaje të reja nga vrasja e Charlie Kirk, autori i dyshuar jetonte me partneren transgjinore

14/09/2025 08:40

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër komunitetit transgjinor.

Burime zyrtare nga FBI kanë konfirmuar për Fox News Digital se Tyler Robinson, 22 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen, jetonte në një apartament në St. George, Utah, me partneren e tij transgjinore.

Sipas FBI-së, dyshja ishin në një marrëdhënie romantike dhe partnerja e Robinson – një burrë që po kalonte tranzicionin në femër – është duke bashkëpunuar plotësisht me hetuesit. Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje mbi rolin e saj në hetim, por konfirmojnë se ajo nuk është nën hetim në këtë fazë.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit e Kirk kanë intensifikuar mbështetjen për mesazhin e tij politik. Që nga vrasja, prania e tij në platformat online ka njohur një rritje të ndjeshme. Vetëm në Instagram, llogaria e tij ka fituar mbi 3.5 milionë ndjekës, ndërsa podkasti i tij në TikTok është rritur me 1.5 milionë ndjekës të rinj.

Në YouTube, ku Kirk shpërndante debatet e tij me studentë në kampuset universitare, videot kanë shpërthyer në shikime. Videoja e fundit e postuar para vrasjes – një përballje në Universitetin e Kalifornisë në San Diego – ka kaluar nga 300,000 në 4 milionë shikime.

CNN ka raportuar se, sipas të dhënave të mbledhura nga platforma të ndryshme dhe nga analizat e SocialBlade, kjo rritje vjen pjesërisht si pasojë e vëmendjes mediatike dhe përpjekjeve të fansave për ta “mbajtur gjallë” zërin e Kirk. Vejusha e tij, Erika, kishte parashikuar se vrasja do të forconte ndikimin e tij në arenën publike.

Aktualisht, përmbajtja në llogaritë sociale të Charlie Kirk mbetet e pandryshuar, por ndikimi i tij online duket se po forcohet me çdo ditë që kalon.

Top Channel