
Deputeti socialist, Erion Braçe, i cili vazhdimisht ka denoncuar rastet e skemave piramidale online që operojnë në qarkun Fier, reagoi pas aksionit të policisë, ku u vunë në pranga gjashtë persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.
Braçe thotë se hetimi nuk duhet të mbyllet këtu, pasi sipas tij, ka mbi 400 agjentë terreni në atë grup. Ai u bën thirrje qytetarëve të Fierit, Lushnjës dhe Divjakës t’i drejtohen Policisë.
Postimi i Erion Braçes:
I mbani mend piramidat online që shpërthyen në korrik e gusht – Txex, Xuex, Grokr etj?!
Ja ku i keni!
Dëgjova pafund kur fola – nga ata të nivelit të lartë,
“Ça piramidash thotë ky”, “Ça do ky vëmendje”, “Do të bëhet ministër po se bën kush”, “Po ky do të na prishë axhendën”, “E ka personale, po prish imazhin e Fierit”, “E përzunë prej andej ndaj flet kot”;
Nga disa vendas në Divjakë, “Ç’puna ka ky, ky s’është më deputet këtu”, “Pse flet ky, është pronari i Divjakës”, “Pse na prish punë ky, ne po marrim lekë”!
Nejse, unë kam zgjedhur të them të vërtetën, pa menduar hiç kujt i pëlqen e kujt jo;
Fola sepse rreshti i piramidës në meskorrik e mesgusht u bë shumë i gjatë – përpiu dhe emigrantë brenda;
Fola sepse e kam jetuar 1994, 1995, 1996, 1997 dhe e di fare mirë vijimin!
Tani, mësova për veprimet e Policisë së Fierit, Prokurorisë së Fierit, Drejtorisë së Krimit Kibernetik; dua t’i falënderoj për punën, ashtu siç AKCESK, AMF, AKEP e cilindo që besoi e u përfshi kundër piramidave online.
Dua të besoj që hetimi e goditja nuk mbyllet këtu;
Ka mbi 400 agjentë terreni në atë grup!
Nuk e kam fjalën për dikë që hyri atje bashkë me familjarë;
Por ata që mbanin grupe me 50, 100 anëtarë e që në Divjakë i njohin të gjithë!
Kam një thirrje për të gjithë ata divjakas, lushnjarë e fierakë, por edhe këdo tjetër që ka paratë atje brenda në piramidë;
Drejtojuni Policisë në Fier – jo në Divjakë, dhe bashkëpunoni në hetimin e kujtdo që i dha jetë kësaj histerie që ju kushtoi shumë para;
Bashkëpunoni me Policinë në Fier e Prokurorinë po aty!!
Top Channel