“XUEX”, sekuestrohen shuma të mëdha parash në lekë, euro e dollarë! Policia ngrin gjashtë llogari të kriptomonedhave

14/09/2025 11:18

Policia e Shtetit njoftoi sot rezultatet e operacionit policor të koduar “XUEX”, për goditjen e veprimtarisë kriminale online të skemave piramidale, operacion i cili u fillua dhe u finalizua në qarkun Fier.

Ky operacion u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve. Fillimisht po ja kaloj fjalën Drejtoreshë Ervinës dhe më pas do bëj me dije rezultatet e finalizmit të operacionit.

Nga ana e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit, nisur nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët për mashtrime online me pretendimin e investimeve duke përfituar, por në të vërtetë ishin skema piramidale duke mashtruar qytetarët dhe përfituar paratë e tyre të investuara në këto skema piramidale, menjëherë filloi puna për investigimin, sigurimin e informacionit dhe goditjen e tyre, krahas kësaj nga Policia e Shtetit u njoftuan qytetarët që të mos kryenin asnjë veprim në të tilla skema piramidale.

Në vijim të punës voluminoze, hetimore dhe profesionale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “XUEX”,, operacion i cili u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave. Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle personash dhe banesash.

Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.

Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor – përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.

Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës. Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini.

Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga.

Top Channel