
Atmosfera në Londër është tejet e tensionuar, ndërsa turma të mëdha njerëzish kanë dalë në rrugë për të marrë pjesë në dy protesta të kundërta, një demonstratë e organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson “në emër të lirisë së shprehjes”, dhe një kundër-demonstratë nga organizatat antifashiste.
Atmosfera në Londër është tejet e tensionuar, ndërsa turma të mëdha njerëzish kanë dalë në rrugë për të marrë pjesë në dy protesta të kundërta, një demonstratë e organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson “në emër të lirisë së shprehjes”, dhe një kundër-demonstratë nga organizatat antifashiste. Rreth 1,600 oficerë policie janë vendosur në terren për të mbikëqyrur situatën dhe për të ruajtur rendin publik.
Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon (42 vjeç), është i njohur për qëndrimet e tij anti-imigrante dhe anti-islamike. Ai ka pasur disa përplasje me ligjin, përfshirë burgosjen në vitin 2018 për shpërfillje të gjykatës dhe në vitin 2024 për akuza të rreme kundër një refugjati sirian.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Robinson shkroi: “Marshoni për vendin tuaj, marshoni për liri, marshoni për fëmijët tuaj, marshoni për Charlie Kirk”, duke iu referuar vrasjes së aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk në Utah — një ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta në radhët e së djathtës.
Protesta e organizuar nga Robinson ishte planifikuar të niste në orën 10:00 të mëngjesit (ora lokale), e ndjekur nga një marshim drejt Whitehall. Organizatorët kishin paralajmëruar pjesëmarrjen e disa figurave të njohura nga e djathta ekstreme ndërkombëtare, përfshirë ish-këshilltarin e Donald Trump, Steve Bannon, si dhe liderin francez të partisë së ekstremit të djathtë Occupy, Eric Zemmour.
“Marshim kundër fashizmit”
Në të njëjtën kohë, organizata Stand Up to Racism UK ka organizuar një kundër-demonstratë në qendër të Londrës, me moton “Mirë se vini, refugjatë”. Pjesëmarrësit mbanin pankarta që promovonin barazinë dhe kundërshtonin ekstremizmin e djathtë.
Policia metropolitane është përgatitur për të mbajtur të ndara të dyja protestat, duke vendosur barriera fizike dhe rrugë të ndryshme për marshimet drejt Whitehall. Autoritetet synojnë që të shmangin çdo përplasje të drejtpërdrejtë midis grupeve dhe të sigurojnë një zhvillim sa më paqësor të protestave.
Top Channel