Tregjet “ndëshkojnë” Francën, çfarë do të thotë ulja e re e vlerësimit ekonomik nga Fitch

13/09/2025 16:46

Ky është vlerësimi më i dobët i dhënë ndonjëherë ndaj Francës nga agjencia ndërkombëtare e kreditimit Fitch.

Të premten në mbrëmje, pas mbylljes së bursës në Wall Street, Fitch njoftoi uljen e vlerësimit të besueshmërisë së ekonomisë franceze nga AA- në A+.

Arsyet kryesore të këtij vlerësimi janë pasiguria fiskale dhe paqëndrueshmëria politike, të cilat, sipas agjencisë, po pengojnë përgatitjen e buxhetit të ri të shtetit. Fitch i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë dorëheqjes së fundit të Kryeministrit François Bayrou dhe “polarizimit politik në rritje”, që sipas saj po e bën të pamundur konsensusin për reformat e nevojshme.

Agjencia vlerëson se, për shkak të këtyre zhvillimeve, masat e nevojshme për të konsoliduar financat publike nuk pritet të zbatohen, dhe deficiti buxhetor nuk do të ulet nën 3% deri në vitin 2029, në kundërshtim me objektivat e deklaruara të qeverisë franceze.

Reagimi i autoriteteve franceze

Në një reagim fillestar, Ministri francez i Financave Eric Lombard u shpreh se po i “merr në konsideratë” vërejtjet e Fitch, ndërsa Kryeministri i ri Sébastien Lecornu ka nisur konsultime për të siguruar një shumicë parlamentare që do të mundësonte miratimin e buxhetit dhe stabilizimin e financave publike.

Ulja e vlerësimit nuk ishte e papritur, duke pasur parasysh ecurinë e ekonomisë franceze në vitet e fundit. Franca, si ekonomia e dytë më e madhe në Eurozonë, ka borxhin e tretë më të lartë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), në nivelin 114.1%, ndërsa deficiti buxhetor aktual është 5.8%.

Sipas parashikimeve, borxhi francez do të arrijë në 120% të PBB-së deri në vitin 2030. Ndërkohë, borxhi total i Francës ka kapur shifrën rekord prej 3.34 trilionë eurosh, duke e bërë atë borxhin më të madh absolut në të gjithë Eurozonën.

Si rezultat, tregjet financiare po reagojnë: interesi për obligacionin francez 10-vjeçar ka arritur në 3.5%, niveli më i lartë që nga viti 2009. Ndërkohë, obligacionet 30-vjeçare kanë kapur rendimentin mbi 4.5%, duke reflektuar kostot gjithnjë e më të larta të huamarrjes.

Franca paguan më shumë për interesat se për arsimin

Thjeshtuar, Franca po e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë huadhënës që të financojnë borxhin e saj, përveçse nëse ofron norma më të larta interesi. Kjo do të thotë se kostoja e interesave për borxhin tashmë është më e lartë se shpenzimet për arsimin.

Krahasime me Greqinë

Disa analistë paralajmërojnë se mund të jemi në prag të një krize të re borxhi, si ajo e Greqisë në vitin 2010. Megjithatë, shumica janë të mendimit se “Franca nuk është Greqi”, dhe se Eurozona është sot më e përgatitur për të përballuar kriza të tilla.

Megjithatë, sektori i madh publik i Francës, që përbën 57% të ekonomisë kombëtare, është një pikë e përbashkët me Greqinë e krizës. Fitch ka theksuar vazhdimisht këtë si një faktor dobësie. Përpjekjet e ish-Kryeministrit Bayrou për ta reformuar këtë sektor kanë dështuar.

Pasojat për BE-në

Ulja e vlerësimit të Francës ka ndikime të mëdha edhe në nivel evropian. Vjen në një moment kritik, kur në BE po zhvillohen diskutime për rregullat e reja fiskale shumëvjeçare, si dhe për mënyrën e financimit të shpenzimeve të mbrojtjes.

Gjermania, Holanda dhe Danimarka do të bëjnë gjithçka për të ruajtur vlerësimin e tyre AAA, gjë që nënkupton edhe më shumë kufizime fiskale, duke e bërë më të vështirë për vendet e Europës Jugore të propozojnë borxh të përbashkët — një ide që Franca e kishte mbështetur më herët. (DW)

Top Channel