Superliga rikthehet pas dy javësh, Teuta pret Vorën me synim fitoren

13/09/2025 14:04

Pas dy javësh ndërprerjeje për shkak të angazhimeve të kombëtares kuqezi do të rikthehen emocionet e Superligës.

Teuta do të presë skuadrën e Vorës në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Për teknikun e “Djemve të Detit”, Enkelejd Dobi, objektivi i vetëm është fitorja dhe sigurimi i tre pikëve.

Dobi theksoi se ekipi ndodhet në një proces rindërtimi, ku puna është intensive jo vetëm nga stafi teknik, por edhe nga drejtuesit e klubit. Ai u bëri thirrje tifozëve për mbështetje maksimale, duke shprehur dëshirën që të rikthehet atmosfera e viteve ’90, kur edhe vetë ishte pjesë e skuadrës durrsake.

Përsa i përket gjendjes së ekipit, trajneri konfirmoi se i vetmi që mungon është Haxhiu, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve janë në formë të plotë dhe gati për këtë sfidë.

Ndeshja Teuta- Vora do të zhvillohet nesër, në orën 19:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Top Channel