
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Spitalin Tameside të Mançesterit, ku një anestezist i martuar ka kryer marrëdhënie seksuale me një infermiere brenda një salle operacioni, duke lënë një pacient nën anestezi gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
Dr. Suhail Anjum, 44 vjeç, u kap në flagrancë nga një kolege, e cila hyri papritur në sallën e operacionit dhe i pa dy kolegët në një pozicion të sikletshëm.
Sipas raportimeve, Dr. Anjum i kishte kërkuar një infermieri tjetër të mbikëqyrte pacientin mashkull në sallën e operacionit nr. 5, me arsyetimin se do të merrte një “pushim të shkurtër”. Në vend të kësaj, ai shkoi në sallën e operacionit nr. 8, ku kreu marrëdhënie seksuale me një infermiere.
Një zëdhënës i Këshillit të Përgjithshëm Mjekësor (GMC), Andrew Molloy, deklaroi se Dr. Anjum ishte përgjegjës për pesë operacione më 16 shtator 2023 dhe u largua gjatë ndërhyrjes së tretë. Më pas, një infermiere tjetër hyri në sallën nr. 8 dhe i pa Dr. Anjum dhe kolegen e tij në një “pozicion kompromentues”.
“Ajo përshkroi se e pa infermieren me pantallonat deri në gjunjë dhe të brendshmet e zbuluara, ndërsa Dr. Anjum po lidhte kordonin e pantallonave. Infermierja u trondit dhe u largua menjëherë nga dhoma,” – tha Molloy.
Dr. Anjum u kthye në sallën nr. 5 pas rreth tetë minutash. Operacioni vazhdoi dhe fatmirësisht pacienti nuk pësoi ndonjë dëm gjatë mungesës së tij.
Incidenti u raportua menjëherë te menaxhmenti i spitalit nga infermierja që i pa.
Përpara se Gjykata e Lartë e Mjekësisë të shqyrtonte çështjen, Dr. Anjum nuk i kundërshtoi akuzat dhe pranoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale në vendin e punës, duke qenë i vetëdijshëm për rrezikun që po i shkaktonte pacientit. Ai gjithashtu pranoi se sjellja e tij kishte potencial të rrezikonte jetën e pacientit.
Dr. Anjum u largua nga Spitali Tameside në shkurt të vitit 2024 dhe u kthye në Pakistan. Gjatë dëshmisë në Tribunalin Disiplinor Mjekësor (MPTS), ai tha se dëshironte të rifillonte karrierën në Mbretërinë e Bashkuar dhe premtoi se nuk do të përsëriste kurrë një sjellje të tillë.
“Ishte një gabim fatal. Po kalonim një kohë shumë stresuese si familje. Vajza jonë lindi para kohe, me peshë shumë të ulët. Gruaja ime pati një lindje të vështirë dhe traumatike dhe kjo ndikoi rëndë në marrëdhënien tonë, shëndetin tim mendor dhe përqendrimin në punë,” – tha ai në mbrojtje të vetes.
Pse rasti u rikthye në vëmendje?
Incidenti ndodhi në shtator 2023, por u bë publik rishtazi gjatë një seance dëgjimore për të vlerësuar nëse Dr. Anjum është i përshtatshëm për t’u rikthyer në praktikën mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar. Ai kishte aplikuar për të rifilluar punën si mjek, duke jetuar aktualisht në Pakistan.
Top Channel