
Një numër gjithnjë në rritje universitetesh, institucione akademike dhe organizmash shkencorë në mbarë botën po shkëpusin marrëdhëniet me universitetet izraelite, për të shmangur akuzat për bashkëpunim të heshtur me politikat e qeverisë izraelite ndaj palestinezëve.
Sipas “The Guardian”, këto veprime vijnë si reagim ndaj situatës në Rripin e Gazës, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë së enklavës janë vrarë mbi 63 mijë persona dhe po përshkallëzohet një krizë humanitare që vlerësohet si “e shkaktuar nga njeriu”.
Shumë universitete kanë ndërprerë bashkëpunimet me institucionet akademike izraelite. Universiteti Federal i Ceará në Brazil anuloi një samit inovacioni me një universitet izraelit. Po ashtu, universitete në Norvegji, Belgjikë dhe Spanjë kanë shkëputur marrëdhëniet me partnerët izraelitë.
Këtë verë, edhe Trinity College në Dublin i është bashkuar këtij qëndrimi, ndërsa Universiteti i Amsterdamit ka mbyllur një program shkëmbimi me Universitetin Hebraik të Jerusalemit. Ndërkohë, Shoqata Evropiane e Antropologëve Socialë ka bërë të ditur se nuk do të bashkëpunojë me institucionet izraelite dhe ka ftuar anëtarët e saj të bëjnë të njëjtën gjë.
Stephanie Adam, nga fushata për bojkotin akademik dhe kulturor ndaj Izraelit, ka deklaruar se universitetet izraelite janë të përfshira në “regjimin kolonial të aparteidit dhe tani edhe në gjenocid”. Ajo shton se ekziston një “detyrim moral dhe ligjor për t’i ndërprerë këto lidhje”.
Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani, pak institucione kanë ndjekur këtë linjë. “Universities UK” ka bërë të ditur se nuk mbështet bojkotet akademike, duke theksuar rëndësinë e “shkëmbimit të lirë të ideve pavarësisht prejardhjes gjeografike apo kombëtare”.
Edhe Royal Society në Britani ka deklaruar se i kundërshton bojkotet në arsimin e lartë.
Top Channel