Këshilli i Sigurimit, SHBA e prerë: Do mbrojmë ‘çdo centimetër të territorit të NATO-s’

13/09/2025 14:29

SHBA deklaroi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se do të mbrojë “çdo centimetër të territorit të NATO-s” pas një ndërhyrjeje me dron rus në Poloni, çka shënoi dhe rastin e parë të njohur të një vendi të NATO-s që rrëzon dronët rusë gjatë pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve alarmante të hapësirës ajrore“, tha ambasadorja në detyrë e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit. Në të njëjtën mbledhje, zv/ministri i jashtëm polak, Marcin Bosacki paralajmëroi se Rusia “kërkon t`i vërë flakën rajonit”.

Ne e dimë, dhe e përsëris, e dimë se nuk ishte një gabim. Polonia, së bashku me forcat ushtarake aleate holandeze, gjermane dhe italiane, vepruan me qetësi, profesionalizëm dhe vendosmëri, duke zbatuar të drejtën për të mbrojtur integritetin e saj territorial. Dronët që kërcënonin qytetarët polakë dhe infrastrukturën kritike u goditën si masë paraprake. Dronët janë instrumente terrori”, shprehet Marcin Bosacki, zv/ministër i jashtëm i Polonisë.

Rusia sërish mohoi që dronët në fjalë të kenë qenë rusë.

Nuk kishte objektiva të shënuar në territorin polak. Rrezja maksimale e dronëve të përdorur në sulm nuk i kalonte 700 kilometrat, çka e bën fizikisht të pamundur që ata të kenë arritur në territorin polak”, thotë Vasily Nebenzya, përfaqësues i përhershëm i Rusisë në OKB.

Më herët, NATO vendosi përforëcimin e krahut të saj te Lindjes, e për këtë arsye, sic theksojnë mediat e huaja, aleanca i ka dhënë dritën jeshile misionit të pagëzuar “Roja e Lindjes”, teksa flitet edhe për një një zonë të mundshme ndalimi fluturimi për të mbrojtur vendet partnere më të ekspozuara ndaj kërcënimit rus. Duke filluar nga mesnata e së enjtes, Varshava vendosi të mbyllë kufirin e saj me Bjellorusinë. Disa nga 19 dronët që pushtuan hapësirën e saj ajrore u ngritën nga territori i vendit fqinj orët e para të së mërkurës, dhe tani atje po zhvillohen ushtrime të përbashkëta ushtarake me ushtrinë ruse.

Vladimir Putin dhe Aleksander Lukashenko i kanë quajtur ato “Zapad 2025”, që do të thotë “Perëndim” në rusisht, një emër i cili kontribuoi akoma edhe më shumë në rritjen e shqetësimeve perëndimore lidhur me lëvizjet ushtarake të Rusise.  Qeveria polake dhe një pjesë e liderëve të aleancës veri-atlantike nuk pajtohen plotësisht me versionin e Moskës se sulmet me dronë ishin thjesht një seri “shkeljesh aksidentale”.

Veprimet e Moskës ishin të pamatura dhe të papranueshme. Nuk mund të lejojmë që dronë rusë të depërtojnë në hapësirën ajrore aleate“, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Bruksel, Mark Rutte ndërsa në krah të komandanti të forcave amerikane në Europë, gjeneralit Alexus Grynkeëich njoftoi nisjen e Operacionit të ri “Roja e Lindjes”. Boshtin e patrullimeve do ta përbëjë sigurimi i hapësirës ajrore të Polonisë dhe shteteve baltike: misioni i ri nisi dje në mbrëmje me forca të ofruara nga aleatë të ndryshëm. Për momentin, forca përbëhet nga dy avionë luftarakë holandezë F-16 dhe një fregatë, tre avionë luftarakë francezë Rafael dhe katër Eurofighter gjermanë.

Rutte sqaroi se ende nuk është përcaktuar me siguri nëse “shkeljet ruse” ishin të qëllimshme apo jo, por fakti mbetet se presioni po rritet dhe Aleanca nuk ka ndërmend të kapet në befasi. Nga ana e tij, Grynkeëich kërkoi të davariste zërat kritikë që dyshonin në aftësinë e ushtrisë perëndimore për të reaguar.

Jemi të pozicionuar mirë dhe po e ndienim me kujdes situatën. Jemi të aftë të reagojmë me një kohë taktike të konsiderueshme“, deklaroi amerikani.

 

Top Channel