
Fermerët në disa fshatra të Fierit dhe Roskovecit po përballen me humbje të konsiderueshme pas një sezoni të vështirë për kultivuesit e bostanit.
Dhjetëra hektarë të mbjella me shalqinj dhe qindra tonë prodhim kanë mbetur pa u vjelë, për shkak të mungesës së tregut dhe çmimeve shumë të ulëta.
Gëzim Buzi, 54 vjeç nga Kallmi i Fierit, ka kultivuar këtë vit tre hektarë me shalqi të varieteti “Xhoker”, por afro 1,000 kuintal prodhim kanë mbetur në arë. Ai thotë se dëmi ekonomik i kalon 20 milionë lekë të vjetra.
“Nuk ka treg. Tregtarët vijnë e na marrin shalqirin me 50 lekë të vjetra për kilogram dhe e shesin me 250. Fitimi i tyre është i paimagjinueshëm, ndërsa ne mbetemi me humbje. Shteti duhet të kontrollojë tregun dhe abuzimet me çmimet,” shprehet Buzi.
Në të njëjtën situatë është edhe Mehmet Malko, 74 vjeç nga Suk i Rroskovecit, i cili këtë vit ka mbjellë pesë dynym me shalqi, por ka fituar vetëm 1 milion lekë të vjetra, shumë më pak nga pritshmëritë.
“Me këtë fitim nuk laj dot as plehrat dhe punimet. Sivjet është mbjellë shumë bostan dhe nuk ka kërkesë nga tregu i huaj. Fermerët po falimentojnë dhe shumë prej nesh do heqin dorë nga ky kultivim,” thotë Malko.
Sipas fermerëve, rreth 80% e prodhuesve në zonë nuk kanë shitur asnjë frut këtë sezon. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit si rregullator i tregut, për të shmangur abuzimet me çmimet dhe për të orientuar kultivuesit në përputhje me kërkesat reale të tregut.
“Çdo prodhues duhet të mbajë përgjegjësi për produktin dhe sasitë e pesticideve që përdor. Prodhimi duhet të shitet vetëm me NIPT dhe me kontrolle të rrepta nga institucionet,” shton Malko.
Fermerët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa, do të braktisin kultivimin e shalqirit, pasi humbjet po bëhen të papërballueshme dhe shumë prej tyre po detyrohen të marrin kredi për të shlyer borxhet.
Top Channel