
Andrew Peach BBC World Service
Shqipëria ka emëruar një ministër të ri qeverie për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Ajo quhet Diella, por Diella nuk është një person i vërtetë. Ajo është një ministre virtuale e fuqizuar nga inteligjenca artificiale, e ngarkuar me mbikëqyrjen e prokurimeve publike.
Alice Taylor është një gazetare për Politico në Tiranë. Ajo më tha se Diella tashmë është një figurë e njohur.
“Kur hyn në e-Albania, që është platforma për të pasur qasje digjitale në shërbimet e qeverisë, Diella ka qenë aty prej disa kohësh, mendoj që nga fillimi i vitit, dhe ajo ka qenë duke iu përgjigjur pyetjeve nëse ngecesh, si dhe duke të drejtuar tek dokumentet apo formularët që mund të kesh nevojë t’i plotësosh”.
“Pra, deri diku jemi familjarë me të. Kryeministri, në korrik – mendoj se ishte korriku – tha: ‘Ndoshta jemi gati për një ministre të inteligjencës artificiale, një ministri të inteligjencës artificiale, e ndoshta një ditë edhe për një kryeministër të inteligjencës artificiale.’ Por nuk mendoj se vërtet po prisnim që ky ministër i AI-së të shfaqej kaq shpejt”.
Mendoj se emri që i është dhënë, ndoshta është pak PR-it, por ideja e përdorimit të AI për këtë lloj procesi është e fortë. Mund të funksionojë. Besoj se do të shohim edhe qeveri të tjera të fillojnë të përdorin AI për gjëra të tilla, për të automatizuar proceset, për të qenë më transparente dhe më të përgjegjshme. Por gjithashtu mendoj se koncepti i të quajturës “ministre”, t’i japësh emër, t’i veshësh një kostum tradicional të bukur, është edhe një element i PR-it”.
Kush i jep llogari Diella? “Në fakt, sapo u shpall se kryeministri ka marrë zyrtarisht mandatin nga presidenti. Dhe brenda mandatit të tij nga presidenti, në dekret, thuhet se ai është përgjegjës për këtë ministri virtuale dhe për ministren, Diella. Pra, teknikisht, ai është përgjegjës për të”, thotë gazetarja.
Intervista e Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në World Business Report.
– Faleminderit që jeni me ne. Pra, Diella është anëtarja e re e ekipit tuaj.
– Faleminderit. Po, Diella është një ministre e AI që do të kujdeset për proceset e AI në qeverisje.
– Si do të ndihmojë Diella në luftën kundër korrupsionit? Sepse në fund të fundit, ajo thjesht i përgjigjet asaj që i thonë programuesit, apo jo?
– Diella tashmë po ndihmon si asistente virtuale në platformën tonë shumë të avancuar ku ofrojmë online për të gjithë qytetarët tanë në Shqipëri dhe kudo në botë 95% të shërbimeve tona. Dhe Diella ka ndihmuar më shumë se një milion aplikime dhe ka lëshuar vetë 36 mijë dokumente me vulë digjitale. Nga ana tjetër, Diella po punon për diçka shumë themelore për ne, që është transferimi i acquis communautaire, pra trupës ligjore të Bashkimit Europian, në legjislacionin tonë. Për këtë proces, vendet më parë përdornin ushtri përkthyesish, ushtri parapërgatitësish dhe hartuesish. Dhe në fakt, Kroacisë, që ishte e fundit që u bë anëtare e Bashkimit Europian dhe që ishte një shembull shumë mbresëlënës në procesin e negociatave, i deshën shtatë vjet.
– Por ajo që përshkruat, si disa funksione me të cilat njerëzit janë mësuar, një bot i AI që përdoret në çdo organizatë të madhe apo qeveri është diçka mjaft e zakonshme, vërtet e dobishme. Dhe sigurisht, AI mund të përdoret për proceset burokratike. Por si i bën operacionet e qeverisë suaj 100% të lira nga korrupsioni, ashtu siç keni pretenduar?
– Kjo është ajo për të cilën po punojmë. Dhe pikërisht prandaj shpjegova se çfarë presim nga Diella. Po punojmë bashkë me një ekip shumë, shumë të shkëlqyer, i cili nuk është vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar, për të dalë praktikisht me modelin e parë të plotë të AI-së në prokurimet publike, i cili, në fakt, do të fshijë çdo lloj ndikimi të mundshëm në procesin e tenderëve publikë, dhe gjithashtu do t’i bëjë këto procese shumë më të shpejta, më efikase dhe plotësisht të përgjegjshme, sepse do të jenë transparente.
– Një pjesë e kësaj lidhet me përpjekjen tuaj për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, për t’i dhënë Shqipërisë një vlerësim të pastër që anëtarësimi të ndodhë.
– Nuk është për t’u bashkuar me Bashkimin Europian në vetvete, por për t’u bërë një vend që ka një set institucionesh plotësisht funksionale. Dhe duke përdorur teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, vende si Shqipëria që kanë nisur nga shumë mbrapa, mund të bëjnë kërcime të jashtëzakonshme përpara dhe të kenë në duar gjëra që edhe vende të mëdha të zhvilluara e kanë të vështirë t’i arrijnë për shkak të strukturave tradicionale më të ngurta. Ato janë pak si anije shumë të mëdha që kanë nevojë për shumë kohë për të ndryshuar drejtimin, ndërsa Shqipëria mund të shndërrohet në një varkë shpejtësie që mund të tregojë rrugën.
– Sigurisht, shumë njerëz që dëgjojnë mund të mendojnë: është e vështirë të mos pajtohesh me ato që thoni, por në fund të fundit, kjo është thjesht një manovër publicitare, apo jo?
– Por unë nuk mendoj se kjo dëmton. Besoj se përtej ndikimit publik që padyshim ka, ka edhe një ndikim tjetër. Ushtron një presion të madh mbi anëtarët e tjerë të kabinetit, mbi agjencitë e tjera brenda vendit, që të mendojnë dhe të punojnë ndryshe. Dhe kjo është, në fakt, përparësia më e madhe që pres nga kjo ministre: të mbledhë nga të tjerët ato gjëra që ata duhet të dorëzojnë. Pra, është një ushtrim i rëndësishëm edhe kur bëhet fjalë për efektin psikologjik që ka.
– Mund të ketë kryeministra të tjerë që do të shohin punën tuaj dhe të Diellës me pak zili dhe do të mendojnë nëse mund të bëjnë të njëjtën gjë. Shumë faleminderit që u bashkuat me ne.
– Faleminderit.
Top Channel