
Turistë më cilësorë dhe dorëlëshuar apo çmime më të larta? Kjo është dilema në sektorin e turizmit për vitin 2025, teksa Shqipëria po shkon edhe drejt muajit përmbyllës të sezonit veror, periudhës ku si shpenzimet edhe të ardhurat janë më të larta.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se në 6 muaj, 2.1 miliardë euro kanë shpenzuar mbi 4.7 milionë të huaj në vendin tonë, nga 1.9 mld euro në gjysmën e parë të 2024. Një rritje 7.7%, e ngadalësuar krahasuar me vitet më parë.
Por nëse ndalemi te një i/e huaj, ai/ajo ka shpenzuar mesatarisht në periudhën janar-qershor 440 euro, nga 428 euro në të njëjtën periudhë në 2024. Vetëm 12 euro më shumë. Domosdoshmërisht ngrihet dilema nëse turistët kanë paguar një diferencë të çmimeve të rritura apo shpenzuan pak më shumë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, pas nuk mbeten as shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit. Për udhëtime apo edhe punë, 1.3 mld euro nxorën nga llogaritë e tyre 3.98 mln shqiptarë në 6 muaj. Thënë ndryshe, një shqiptar shpenzoi jashtë vendit 326 euro.
Bilanci i turizmit mbetet pozitiv. Diferenca midis shpenzimeve të turistëve të huaj në vend dhe atyre të shqiptarëve jashtë ka arritur në 800 milionë euro, niveli më i lartë ndonjëherë. Ky bilanc pritet të përmirësohet më tej.
Shqipëria po vizitohet më së shumti nga turistët nga Europa, por pas nuk mbeten as ata turistë nga Amerika, Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme. Ndërsa shqiptarët vijojnë më së shumti udhëtimet në Europë, por edhe më gjerë.
Top Channel