
Donald Trump njoftoi sot se do të vendosë njësi të Gardës Kombëtare në Memfis, Tenesi (në jug të SHBA-së), si pjesë e fushatës së tij kundër krimit që, sipas tij, ka prekur qytetet kryesore të vendit të drejtuara nga demokratët.
“Do të shkojmë në Memfis. Memfisi ka shumë probleme. Kryetari i bashkisë është i lumtur, ai është një kryetar bashkie demokrat (…). Do ta trajtojmë këtë siç bëmë në Uashington”, deklaroi presidenti amerikan gjatë një interviste për Fox News, duke iu referuar vendosjes së ushtarëve dhe oficerëve të policisë federale në kryeqytet muajin e kaluar.
Në fund të javës së kaluar, Trump kishte kërcënuar edhe qytetin e Çikagos me ndërhyrje ushtarake, duke përmendur emrin e ri që, sipas tij, i është dhënë Pentagonit — “Departamenti i Luftës”.
“Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes. Çikago do ta kuptojë pse e quajmë Departamenti i Luftës”, shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social, ku ka paralajmëruar prej ditësh dërgimin e trupave federale për të “sulmuar krimin”.
Postimi shoqërohej me një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku Trump shfaqej me uniformë ushtarake, përballë një sfondi me zjarre dhe një helikopter që fluturonte në qiellin portokalli të Çikagos. Mbi foto ishte vendosur mbishkrimi “Apokalipsi Tani” — një referencë e drejtpërdrejtë ndaj filmit të famshëm të Francis Ford Coppola-s për Luftën e Vietnamit, me një parodi të frazës së njohur të Robert Duvall: “Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes”.
Guvernatori i Illinois-it, shtetit ku ndodhet Çikago, nuk e konsideroi postimin si një shaka. “Kjo nuk është qesharake. Presidenti i Shteteve të Bashkuara po kërcënon t’i shpallë luftë një qyteti amerikan. Illinois nuk do të frikësohet nga një diktator i mundshëm”, reagoi demokrati J.B. Pritzker në një postim në platformën X.
Paralajmërime edhe për qytete të tjera
Përpara kësaj, presidenti kishte deklaruar se mund të dërgonte ushtrinë edhe në qytetin e New Orleans.
“Bllokim” për vendimin e Trump në Kaliforni
Megjithatë, në fillim të këtij muaji, një gjyqtar federal vendosi të bllokojë vendosjen e Gardës Kombëtare në Kaliforni, me qëllim luftimin e krimit. Urdhri u lëshua nga gjyqtari i distriktit amerikan Charles Breyer, me seli në San Francisko, dhe lidhet me Distriktin Verior të Kalifornisë. Në qershor, Trump kishte urdhëruar vendosjen e 4,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave në detyrë aktive në Los Angeles, pas protestave që shpërthyen në përgjigje të bastisjeve masive për arrestimin e emigrantëve në qytetin e dytë më të madh në SHBA.
Ky vendim — ashtu si edhe deklaratat e tjera të Trump për krimin dhe përfshirjen e ushtrisë — shkaktoi tensione në qytet dhe u kritikua nga demokratët, të cilët pretendojnë se presidenti po përdor ushtrinë për të shtypur kundërshtimin ndaj politikave të tij të ashpra të imigracionit.
Top Channel