
Në hetimet për vrasjen e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, autoritetet amerikane kanë zbuluar një detaj befasues që po ndez diskutime në mbarë opinionin publik: njëri prej plumbave të përdorur nga sulmuesi kishte të gdhendur fjalët “Bella ciao, bella ciao, ciao ciao”, ndërsa një tjetër mbante frazën “Hej fashist”.
Ky detaj ka ngjallur spekulime për një motivim politik pas sulmit, duke e lidhur ngjarjen me një prej simbolikave më të forta antifashiste të shekullit të 20-të: këngën italiane “Bella Ciao”.
Edhe pse sot njihet si himni partizan për rezistencën kundër fashizmit, “Bella Ciao” nuk u këndua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga partizanët italianë. Rrënjët e saj gjenden në repertorin popullor të punëtoreve të orizit në rajonet e Emilias dhe Lombardisë.
Versioni antifashist i këngës u përpunua vetëm në periudhën pas luftës. Interpretimi i parë i njohur i versionit partizan daton në vitin 1947, në Festivalin Botëror të Rinisë Demokratike në Pragë — edhe pse disa historianë, si Giorgio Bocca, e lidhin me Festivalin e Spoletos në vitet ‘60. Teksti i saj u botua për herë të parë në vitin 1953 në revistën La Lapa.
Në vitet 1960–1970, “Bella Ciao” u shndërrua në një himn të protestës dhe antifashizmit, i pranishëm në manifestime studentore, greva dhe lëvizje sindikale. Shumë shpejt, ajo u përhap në mbarë botën dhe u përdor në lëvizje demokratike në Greqi, Turqi, Kili, Hong Kong, Iran, Ukrainë dhe më tej.
Gjatë protestave të lëvizjes Occupy Wall Street, në demonstratat e Sheshit Taksim në Stamboll dhe në luftën për pavarësi të kurdëve në Siri, “Bella Ciao” u këndua si simbol rezistence, duke treguar fuqinë e saj si një thirrje globale për liri dhe drejtësi.
Gjatë pandemisë COVID-19, “Bella Ciao” mori një kuptim të ri: u shndërrua në simbol solidariteti dhe shprese, duke u kënduar nga ballkonet e qyteteve italiane e më gjerë, në qytete si Bambergu (Gjermani) apo në nisma të shërbimeve emergjente në Britani.
Fama globale e saj u përforcua nga seriali “La Casa de Papel” (Money Heist), ku kënga u përdor në disa nga skenat më ikonike. Që atëherë, “Bella Ciao” është bërë virale në rrjetet sociale, ka hyrë në playlistat e të rinjve dhe është rikrijuar në zhanre të ndryshme muzikore — nga elektronike te repi.
Për disa, “Bella Ciao” është një trashëgimi universale, që bashkon breza dhe kultura të ndryshme. Për të tjerë, mbetet një këngë e lidhur ngushtë me ideologji të caktuara politike.
Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, një gjë është e sigurt: fuqia e saj simbolike nuk është zbehur asnjëherë. Nga punëtoret e fushave të orizit në Italinë e shekullit të kaluar, te protestat moderne në mbarë globin, “Bella Ciao” vazhdon të përfaqësojë rezistencën, guximin dhe protestën kundër shtypjes.
Top Channel