
Një raport i fundit i Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara zbulon se qeveria e Koresë së Veriut ka rritur ndëshkimin me vdekje, duke përfshirë edhe ata që kapen duke shikuar ose shpërndarë filma dhe seriale televizive të huaja.
Kjo diktaturë e izoluar vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë mbi qytetarët e saj, duke shtuar edhe punën e detyruar dhe kufizimet mbi liritë themelore.
Raporti bazohet në më shumë se 300 intervista me persona që kanë arratisur nga Koreja e Veriut gjatë 10 viteve të fundit dhe thekson se gjatë kësaj periudhe shteti ka ashpërsuar kontrollin në “çdo aspekt të jetës së qytetarëve”. Sipas OKB-së, asnjë popullsi tjetër në botë nuk është subjekt i një kontrolli kaq të fortë dhe survejimi është bërë më i përhapur falë avancimeve teknologjike.
Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, paralajmëroi se nëse kjo situatë vazhdon, qytetarët verikoreanë do të përjetojnë më shumë vuajtje, shtypje brutale dhe frikë.
Sipas raportit, që nga viti 2015 janë miratuar të paktën gjashtë ligje të reja që lejojnë përdorimin e dënimit me vdekje për shkelje të ndryshme, përfshirë edhe shikimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve mediatike të huaja. Ekzekutimet kryhen shpesh në publik përmes skuadrave të pushkatimit, me qëllim të frikësimit të popullatës.
Një nga arratisësit, Kang Gyuri, tha për BBC-në se tre miq të saj u ekzekutuan pas kapjes me materiale nga Koreja e Jugut dhe se nga viti 2020 frika mes njerëzve është rritur ndjeshëm.
Top Channel