
Arrestimi i një eksportuesi bashkë me 2 inspektorë të AKU-së në Berat pas bllokimit të një ngarkese me 8 ton domate me pesticide në Kroaci, ka nxitur frikën dhe pasigurinë tek grumbulluesit dhe eksportuesit e tjerë.
Në Roskovec grumbulluesit thonë se personalisht nuk kanë asnjë ngarkesë të kthyer apo bllokuar, por rreziku mbetet i lartë.
“Si fillim i bëjmë një thirrje gjithë faktorëve kryesor të cilët janë fermerët që të kenë shumë kujdes në përdorimin e pesticideve ushqyesve së bimës së tyre i bëjmë thirrje gjithashtu edhe agronomëve që tu qëndrojnë afër fermerëve t’i ndihmojnë dhe tu mësojë atyre së çfarë dhe si ti përdorin këto ingriendient. Çdo fermer dëshiron rendiment dhe të fitoj por duhet patjetër që të ruajnë çdo karencë në produktin e frutave dhe perimeve, pasi pasojat i vuajmë ne eksportuesit”, tha Amarildo Agaci, eksportues.
Përgjegjësia për produktin që del në treg apo eksportohet sipas këtij grumbulluesi bie te çdo hallkë e zinxhirit, nga fermeri deri te pikat e grumbullimit, të cilat duhet të sigurojnë gjurmueshmërinë e produktit. Sipas tij, mungesa e kujdesit dëmton jo vetëm eksportuesit, por edhe imazhin e fermerëve shqiptarë.
“Duhet patjetër të rregullojmë mënyrën e punës pasi ky është një zinxhir. U bëj thirrjeve institucioneve që të vendosin një rregullator dhe të bëjnë një plan që të ndihmojnë fermerët me agronome të bëjnë kontrollin tek pikat e farmacive bujqësore a janë te licencuara apo jo. Fermeri duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për produktin që ai shet”, u shpreh Agaci.
Për domatet shqiptare me përmbajtje të lartë të preparatit të ndaluar “Chlorfenapyr” u arrestuan dy ditë më parë pronari i kompanisë eksportuese “Era Fruit”, Mariglen Qorri, si dhe dy inspektorë të AKU-së së Beratit, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, të cilët lejuan kalimin në doganë drejt Kroacisë me fatura fiktive.
Top Channel