Nga një i huaj politik në një president si asnjë tjetër/ Ngritja dhe rënia e Bolsonaros

12/09/2025 16:41

Fotot dramatike të Jair Bolsonaro-s të shtrirë për tokë, i veshur me ngjyrat e kombëtares braziliane dhe i përfshirë nga dhimbjet, bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe televizioneve në mbarë botën në vitin 2018.

Sulmi me thikë, vetëm pak javë para zgjedhjeve presidenciale, tronditi vendin dhe e shndërroi Bolsonaron në një figurë simbol të “të jashtmit” që sfidonte sistemin.

Por sot, shtatë vite më pas, Gjykata Supreme e Brazilit e ka dënuar atë me 27 vjet burg për komplot për grusht shteti. Pavarësisht dënimit, figura e tij mbetet e gjallë në skenën politike, ndërsa aleatët kanë nisur presionin për një amnisti që mund ta rikthejë në lojë.

Nga periferia politike në presidencë

Për dekada, Bolsonaro ishte një figurë periferike në politikën braziliane. Ish-oficer ushtrie, ai u shkarkua pas protestave për paga më të larta dhe akuzave për një tentativë për bombardim, akuza që më pas u hodhën poshtë. Megjithatë, që nga vitet 1990, ai nisi një karrierë si kongresmen, duke u bërë i njohur për deklaratat ekstreme dhe mbrojtjen e diktaturës ushtarake.

Në vitin 2018, klima politike ishte ideale për një figurë si Bolsonaro. Pas një recesioni të thellë ekonomik, hetimeve të mëdha për korrupsion që përfshinë klasën politike dhe burgosjes së ish-presidentit Lula da Silva, besimi i qytetarëve tek institucionet ishte në pikën më të ulët.

Bolsonaro e shfrytëzoi këtë atmosferë dhe, përmes rrjeteve sociale, mobilizoi një koalicion të gjerë votuesish: konservatorë fetarë, ushtarakë, biznesmenë të pakënaqur dhe qytetarë të thjeshtë që kërkonin ndryshim.

Një presidencë përçarëse dhe e mbushur me polemika

Sapo erdhi në pushtet, Bolsonaro ndërtoi një kabinet me shumë ushtarakë dhe figura pa përvojë politike. Ai forcoi lidhjet me SHBA-në e Donald Trump dhe qeveri të djathta si ajo e Hungarisë dhe Izraelit. Një nga vendimet më të diskutueshme ishte dobësimi i mbrojtjes mjedisore, çka çoi në rritjen alarmante të shpyllëzimit të Amazonës.

Por sfida më e madhe erdhi me pandeminë e Covid-19. Bolsonaro minimizoi rrezikun, kundërshtoi masat e distancimit social, vuri në dyshim efektivitetin e vaksinave dhe promovoi ilaçe të paprovuara. Më shumë se 700 mijë brazilianë humbën jetën, ndërsa ekspertët besojnë se mijëra prej tyre mund të ishin shpëtuar.

Përplasja me drejtësinë

Gjatë gjithë mandatit, Bolsonaro pati një përplasje të vazhdueshme me Gjykatën Supreme, veçanërisht me gjyqtarin Alexandre de Moraes. Ky i fundit hapi një sërë hetimesh ndaj rrethit të ngushtë të Bolsonaro-s për përhapje të dezinformatave dhe kërcënime ndaj institucioneve.

Në kulmin e tensioneve, në shtator 2021, Bolsonaro deklaroi publikisht se nuk do të zbriste nga pushteti veçse “i vdekur, i arrestuar apo fitimtar” një deklaratë që u pa si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

Zgjedhjet e vitit 2022 dhe përgatitjet për një grusht shteti

Gara me Lula da Silvën në zgjedhjet e vitit 2022 ishte e ashpër. Bolsonaro dhe aleatët nisën një fushatë të ashpër duke pretenduar pa prova se sistemit elektronik të votimit nuk mund t’i besohej.

Më 30 tetor, Lula fitoi me një diferencë të ngushtë. Bolsonaro refuzoi të pranonte rezultatin dhe disa ditë më vonë fluturoi drejt Floridës, SHBA, duke munguar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri një akt pa precedent në historinë braziliane moderne.

Hetimet treguan më pas se gjatë kësaj kohe, Bolsonaro diskutoi me udhëheqësit ushtarakë për vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonshme, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Madje u zbulua edhe një plan për eliminimin fizik të Lulës dhe gjyqtarit Moraes, që më pas u anulua nga një prej ndihmësve të presidentit.

Sulmi ndaj institucioneve dhe fundi i rrugës

Më 8 janar 2023, mijëra mbështetës të Bolsonaro-s sulmuan Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial – një ngjarje e ngjashme me sulmin ndaj Kapitolit në SHBA. Lula nuk ndodhej në godinë dhe pas disa orësh, autoritetet rikthyen kontrollin.

Dënimi me burg dhe ndikimi i ardhshëm

Në gusht 2025, Bolsonaro u vu nën arrest shtëpiak dhe më pas u dënua nga Gjykata Supreme me 27 vjet burg për pesë akuza, përfshirë komplot për grusht shteti. Atij i ndalohet të kandidojë për ndonjë funksion publik deri në vitin 2060.

Një rikthim i mundshëm?

Partia e Bolsonaro-s fitoi më shumë se 500 bashki në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Aleatët në Kongres tashmë po shtyjnë për amnisti, ndërsa kandidatë të mundshëm për presidencën e vitit 2026 kanë premtuar se do e falin Bolsonaron nëse marrin pushtetin.

Kjo ka krijuar tensione të reja midis pushtetit legjislativ dhe Gjykatës Supreme, e cila ka paralajmëruar se çdo ligj për amnisti do të shpallet jokushtetues.

Demokracia braziliane në një moment vendimtar

Situata aktuale në Brazil është delikate. Çështja Bolsonaro ka ndarë politikën, institucionet dhe opinionin publik. Pyetja që ngrihet tani është: A do të mbizotërojë drejtësia apo fuqia politike?

Brazilianët mund të jenë ende larg një fundi të qartë për këtë kapitull të tensionuar të historisë së tyre demokratike.

Top Channel