Izraeli hodhi poshtë të premten një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila u miratua me shumicë dërrmuese dhe përmban një deklaratë që përshkruan hapat drejt një zgjidhjeje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve.

“Edhe një herë, është treguar se sa shumë Asambleja e Përgjithshme është një cirk politik i shkëputur nga realiteti: Në dhjetëra klauzola të deklaratës së miratuar nga kjo rezolutë, nuk ka asnjë përmendje që Hamasi është një organizatë terroriste,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, në një postim në platformën X.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi më herët të premten një deklaratë prej shtatë faqesh, që përshkruan “hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete, përpara një takimi të liderëve botërorë.

Deklarata është rezultat i një konference ndërkombëtare të mbajtur në OKB në korrik – e organizuar nga Arabia Saudite dhe Franca – mbi konfliktin e gjatë midis Izraelit dhe palestinezëve. SHBA-të dhe Izraeli bojkotuan ngjarjen.

Reagime të ndryshme ndaj rezolutës

Zëvendëspresidenti palestinez e quajti rezolutën një “hap të rëndësishëm drejt përfundimit të pushtimit”, ndërsa ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, i bëri thirrje Izraelit të “dëgjojë zërin e arsyes” dhe “mesazhin që ka jehuar në mënyrë të papërmbajtshme në këtë Asamble”.

Deklarata e miratuar në Nju Jork synon t’i japë jetë të re zgjidhjes me dy shtete, por përjashton qartë Hamasi-n nga ky proces. Megjithatë, qeveria izraelite ka kritikuar për afro dy vjet faktin se Asambleja dhe Këshilli i Sigurimit nuk kanë arritur të dënojnë qartë ndërhyrjen e paprecedentë të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023.

Përmbajtja e deklaratës

Teksti i hartuar nga Franca dhe Arabia Saudite, i cili u miratua me:

142 vota pro

10 kundër (përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara)

12 abstenime

…përmban qartë deklarata si:

“Ne dënojmë sulmet e kryera më 7 tetor (2023) nga Hamasi kundër civilëve” dhe “Hamasi duhet të lirojë të gjithë pengjet” e mbetura në Rripin e Gazës.

Deklarata, e nënshkruar në korrik nga 17 shtete, përfshirë vendet arabe, gjatë pjesës së parë të sesionit të OKB-së mbi zgjidhjen me dy shtete, shkon më tej duke kërkuar: “Hamasi duhet të ndërpresë ushtrimin e autoritetit të tij në Rripin e Gazës dhe t’ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare,” në një përpjekje për të arritur krijimin e “një shteti sovran dhe të pavarur të Palestinës.”

Reagimet ndërkombëtare

“Së bashku, po ndërtojmë një rrugë të pakthyeshme drejt paqes,” tha Presidenti francez Emmanuel Macron në një postim në X, duke reaguar ndaj votimit të deklaratës së Nju Jorkut.

Megjithatë, ky mesazh nuk arriti të bindë as Izraelin, as Shtetet e Bashkuara.

“Kjo deklaratë e njëanshme nuk do të mbahet mend si një hap drejt paqes, por si një tjetër gjest i zbrazët që dobëson besueshmërinë e Asamblesë,” tha Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, pak para votimit.

Top Channel