
Kryebashkiaku i Romës i ka urdhëruar një gruaje të ndalojë ushqyerjen e dhjetëra pëllumbave që kanë pushtuar një pallat apartamentesh, pasi banorët u ankuan se po mbyten me pendët dhe jashtëqitjet e zogjve.
Banorët e pallatit në Via Spartaco 108 e përshkruajnë situatën si një “makth i ngjashëm me një film horror të Hitchcock-ut”, duke iu referuar filmit të famshëm The Birds, pasi një tufë e madhe pëllumbash pushtoi ndërtesën.
Për disa muaj me radhë, në katin e tretë të pallatit, një grua e quajtur nga mediat “Zonja e Pëllumbave” ushqente vazhdimisht zogjtë, të cilët nisën të shumoheshin dhe të merrnin kontrollin mbi ambientet e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës.
Pas ankesave të shumta nga banorët – të revoltuar nga ndotja, zhurmat dhe dëmet që shkaktonin pëllumbat – autoritetet lokale lëshuan një urdhër ndalimi ndaj gruas, duke e ndaluar rreptësisht që të ushqente zogjtë.
“Po ushqej për t’i shpëtuar”
“Unë jam një aktiviste për të drejtat e kafshëve dhe anëtare e Shoqatës Italiane për Mbrojtjen e Shpendëve, një organizatë e madhe mjedisore që merret me mbrojtjen e jetës së egër. Nuk i ushqej zogjtë për qejf – unë përpiqem t’i shpëtoj ata,” deklaroi ajo për Roma Today. “Sigurisht, nëse ushqen një pëllumb, vijnë dhe të tjerët. Por ndaj meje janë thënë shumë gënjeshtra, shpifje dhe madje kërcënime.”
E pyetur për ndotjen e shkaktuar nga jashtëqitjet e zogjve, gruaja tha: “Do ta rregulloj – për veten time, për banorët dhe për pëllumbat e varfër që janë viktimat e vërteta. Ndërkohë, kam ndaluar së ushqyeri. Shpresoj që ata të largohen, përndryshe rrezikojnë të shtypen nga makinat.”
“Çmimet e shtëpive kanë rënë”
Pavarësisht ndalimit zyrtar, fqinjët raportojnë se ajo vazhdon t’i ushqejë pëllumbat, duke vendosur fara, copa proshute dhe pule në pragun e dritares. Ata e kanë filmuar disa herë.
“Zonja nuk interesohet aspak për vuajtjet tona,” tha një banor për kanalin RAI. “Na ka kthyer jetën në ferr.”
Një tjetër fqinjë shtoi se zogjtë “vazhdojnë të shumohen dhe të lëshojnë vezë pa kontroll”, ndërsa të tjerë përshkruajnë rrugën si “të mbuluar nga jashtëqitjet”, trotuaret “të pakalueshme” dhe një erë të rëndë dhe të padurueshme. Ballkonet janë braktisur, ndërsa makinat ndoten çdo ditë.
Çdo përpjekje për ta bindur që të ndalojë ka dështuar, pavarësisht një rregulloreje bashkiake që ndalon qartësisht ushqimin e pëllumbave në të gjithë territorin e Romës.
Rocco Ferraro, këshilltar bashkiak dhe zëdhënës për çështjet mjedisore në zonën metropolitane të Romës, deklaroi: “Prania e madhe e pëllumbave dhe ndotja e shkaktuar kanë ulur ndjeshëm vlerën e apartamenteve dhe i kanë bërë shumë të vështira për t’u shitur.”
Ndërkohë, Komuna e Romës, edhe pse theksoi se “deri tani nuk ka shenja të drejtpërdrejta të rrezikut për shëndetin publik”, paralajmëroi për një rrezik të mundshëm higjieno-shëndetësor.
Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, lëshoi një urdhër të prerë për ndalimin e ushqyerjes së pëllumbave dhe zogjve të tjerë të egër, duke ndaluar shprehimisht hedhjen e ushqimit apo mbetjeve ushqimore në rrugë apo ambiente të përbashkëta.
Sipas urdhrit, banorët e apartamentit në katin e tretë janë të detyruar, brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit, që me shpenzimet e tyre të kryejnë pastrimin, dezinfektimin, kontrollin e dëmtuesve dhe dekontaminimin e zonave të prekura, duke rikthyer standardet e nevojshme të higjienës, sigurisë dhe shëndetit publik.
Top Channel