Brazili feston dënimin e Bolsonaro-s me 27 vite burg, mijëra qytetarë dalin në rrugë sikur të ishte karnavale: Një ditë e re për demokracinë

12/09/2025 19:19

Mijëra qytetarë brazilianë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Brasília për të festuar vendimin historik të drejtësisë që dënoi ish-presidentin Jair Bolsonaro me 27 vite burg për organizimin e një grushti shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.

Vendimi, i cili u shpall më 11 shtator – një datë simbolike për Amerikën Latine për shkak të grushtit të shtetit të vitit 1973 në Kili – është përshëndetur nga liderë progresistë në rajon dhe është pritur me entuziazëm nga qytetarë, aktivistë dhe grupe të margjinalizuara.

Presidenti i majtë i Kilit, Gabriel Boric, shkroi në rrjetet sociale: “Respekt për demokracinë braziliane që mbrojti veten nga një grusht shteti dhe sot dënon përgjegjësit. Ata u përpoqën ta shkatërronin, por sot ajo del më e fortë. Demokracia gjithmonë!”.

Edhe presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi duke thënë: “Të gjithë puçistët duhet të dënohen. Këto janë rregullat e demokracisë.”

Në rrugët e kryeqytetit brazilian, atmosfera ishte festive, me muzikë, fishekzjarre dhe pankarta në mbështetje të demokracisë. Për shumë qytetarë, dënimi i Bolsonaro-s shënon një pikë kthese historike.

“Jam i mbushur me gëzim. Është dita më e bukur e ditëlindjes sime,” – tha Renan Vidal, një punonjës banke që festonte 37-vjetorin e tij. I mbështjellë me një flamur ylber, ai shtoi: “Jam pjesë e komunitetit LGBT, dhe ne kemi qenë ndër më të goditurit nga qeverisja e Bolsonaro-s. Kjo është një ditë për të festuar!”.

Yucca Nani, 34 vjeç, theksoi rëndësinë e datës 11 shtator: “Për brezin tim, kjo datë lidhej me sulmet e 11 Shtatorit në SHBA. Tani, në Brazil, ajo ka një kuptim të ri – dënimi i Bolsonaro-s.”

Në mesin e turmës ishte edhe Beatriz Matos, antropologe dhe bashkëshortja e aktivistit indigjen Bruno Pereira, i cili u vra bashkë me gazetarin britanik Dom Phillips gjatë presidencës së Bolsonaro-s.

“Ndjej lehtësim, lumturi dhe zjarr në sy,” – tha ajo.

Beto Marubo, udhëheqës indigjen dhe kumbari i djalit të Pereira-s, shtoi: “Kjo është një ditë e veçantë për ne indigjenët dhe për të gjitha pakicat. Ne kemi qenë më të prekurit nga regjimi i Bolsonaro-s. Kjo është një frymëmarrje drejtësie.”

Në kontrast me festimet në Brazil, dënimi i Bolsonaro-s ka shkaktuar zemërim në qarqet e djathta ndërkombëtare, përfshirë ato të lidhura me Presidentin amerikan Donald Trump.

Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Christopher Landau, akuzoi gjyqtarin e Gjykatës Supreme të Brazilit, Alexandre de Moraes, për “shkatërrimin e shtetit ligjor” dhe për prishjen e marrëdhënieve mes dy kombeve.

Ndërkohë, Eduardo Bolsonaro, djali i ish-presidentit, i bëri thirrje qeverisë amerikane për një “reagim të fortë”.

Trump vetë reagoi ashpër duke thënë: “Mendoj se ishte një president i mirë. Kjo që ndodhi është shumë befasuese. E njëjta gjë u përpoqën të ma bënin mua, por nuk ia dolën.”

Trump njoftoi tarifa 50% mbi importet braziliane dhe sanksione ndaj zyrtarëve të drejtësisë në Brazil, duke paralajmëruar masa të mëtejshme

Festimet pritet të vazhdojnë. Në Rio de Janeiro, është planifikuar për të premten mbrëma një paradë me temën “Fitorja e Demokracisë”, ku qytetarët do të festojnë jo vetëm një dënim, por një moment të rëndësishëm historik për drejtësinë dhe shtetin ligjor në Brazil.

Top Channel