BE rinovon sanksionet ndaj individëve dhe kompanive ruse, Kallas: Po bëjmë gati edhe paketën e 19-të ndëshkimeve

12/09/2025 13:52

Bashkimi Europian vendosi sot të zgjasë vlefshmërinë e sanksioneve europiane kundër qindra individëve, kompanive dhe organizatave të tjera ruse të akuzuara për pjesëmarrje në përpjekjet e luftës së Moskës kundër Ukrainës, thanë burime diplomatike.

Këto sanksione, të cilat u vendosën pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, kanë të bëjnë me më shumë se 2,500 individë rusë dhe kompani e organizata ruse, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin.

Ato rinovohen çdo gjashtë muaj me vendim unanim të vendeve anëtare.

Ato parashikojnë ngrirjen e aseteve ruse brenda Bashkimit Europian dhe sa i përket individëve, ndalimin e hyrjes në territorin europian.

Bashkimi Europian po përgatit gjithashtu paketën e 19-të të sanksioneve ekonomike që, ndër të tjera, synojnë të godasin burimet e financimit të Rusisë, dhe kryesisht shitjet e naftës.

Komisioni Europian do t’ua paraqesë këto masa shteteve anëtare sot. Franca dhe Gjermania kanë propozuar në kontekstin e bisedimeve përgatitore që sanksionet të drejtohen ndaj Lukoil, një kompani ruse nafte me prani në Europë, si dhe “aktorëve” jashtë BE-së që ndihmojnë Rusinë të shesë naftën e saj.

Parisi dhe Berlini po kërkojnë gjithashtu të godasin më shumë mekanizma të përdorur nga Rusia për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Deri në 250 banka të vogla janë të përfshira në transaksione financiare që synojnë të mbështesin përpjekjet ruse të luftës, sipas një raporti franko-gjerman.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë gati të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe u kanë bërë thirrje europianëve të veprojnë vetë.

I dërguari special i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan, do të takohet me zyrtarë amerikanë në Uashington të hënën për të diskutuar çështjen.

Top Channel