
Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e saj të 707-të, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Deklaratën e Nju Jorkut, një dokument që synon t’i japë sërish hov zgjidhjes me dy shtete – Izraelit dhe Palestinës – duke përjashtuar qartë lëvizjen radikale Hamas.
Deklarata, e hartuar nga Franca dhe Arabia Saudite, është miratuar me 142 vota pro, 10 kundër dhe 12 abstenime. Në tekstin e saj dënohen ashpër sulmet e 7 tetorit 2023 dhe theksohet se: “Hamas duhet të dorëzojë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet që mban në Rripin e Gazës.”
Qeveria izraelite ka refuzuar menjëherë deklaratën, duke e quajtur atë një akt që “inkurajon Hamasin të vazhdojë luftën”. Sipas Tel Avivit, dokumenti i OKB-së është “i turpshëm” dhe dëmton përpjekjet për siguri dhe stabilitet në rajon.
Ndërkohë, Hamas ka bërë të ditur se Khalil al-Hayya, kreu i delegacionit të saj negociator, është gjallë, pas raportimeve se ishte vrarë nga një sulm izraelit në Katar.
Sulmet ajrore të ushtrisë izraelite mbi Gazën kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 50 civilëve palestinezë vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas burimeve lokale. Bombardimet vazhdojnë në zonat jugore dhe qendrore të enklavës së rrethuar, ku kriza humanitare mbetet alarmante.
Në një zhvillim paralel diplomatik, Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio pritet të mbërrijë në Izrael këtë të shtunë. Vizita e tij shihet si përpjekje për të ulur tensionet dhe për të theksuar mbështetjen e SHBA-së për sigurinë e Izraelit, por gjithashtu edhe për të nxitur një zgjidhje të qëndrueshme politike.
Tensionet mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar përpiqet të gjejë një rrugëdalje mes përshkallëzimit ushtarak dhe përpjekjeve diplomatike që ende nuk kanë sjellë rezultate konkrete në terren.
Top Channel