
Një ngjarje e rëndë tronditi Evergreen High School në Kolorado të mërkurën pasdite, kur rreth orës 12:24 ndodhën të shtëna me armë zjarri brenda kampusit.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Jefferson, tre studentë u dërguan në spital në gjendje kritike, mes tyre edhe autori i dyshuar i sulmit, i cili mbeti i plagosur pasi qëlloi me armë. Më vonë, autoritetet konfirmuan se i dyshuari ndërroi jetë. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Nga të plagosurit, një student vazhdon të jetë në gjendje kritike, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Një nxënës i katërt u dërgua gjithashtu në spital, por me lëndime të paqarta.
Reagimet dhe masat e menjëhershme
Guvernatori i Kolorados, Jared Polis, reagoi menjëherë pas sulmit: “Jam i shkatërruar nga kjo dhunë e pakuptimtë. Zemra ime është me viktimat dhe familjet e tyre,” tha ai në një deklaratë.
Pas të shtënave, shkolla u vendos në bllokim total, ndërsa dhjetëra ekipe policore dhe forca speciale kontrolluan çdo klasë. Prindërit u udhëzuan të mblidheshin për t’u ribashkuar me fëmijët e tyre në Bergen Meadow Elementary.
Hetimet në zhvillim
Zëdhënësja e sherifit, Jacki Kelley, tha se nuk mund të jepte detaje mbi moshën ose gjininë e autorit të dyshuar, duke shtuar: “Nuk e di nëse i dyshuari është mjaftueshëm i rritur sa për të drejtuar makinën.”
Autoritetet po kërkojnë një urdhër kontrolli për shtëpinë dhe dollapin e shkollës së studentit. Sherifi konfirmoi se i dyshuari ishte i armatosur me një revole.
Në vendngjarje reaguan edhe agjentët e ATF dhe FBI, me drejtorin Kash Patel që deklaroi se FBI po ofron mbështetje të plotë autoriteteve lokale.
Hetimet vazhdojnë ndërsa komuniteti i Evergreen përjeton një nga ngjarjet më të frikshme të viteve të fundit.
Top Channel