
Polonia pohoi se me kërkesë të saj, këshilli i sigurisë i OKB-së do të mbajë një takim urgjent.
“Ne po tërheqim vëmendjen e botës ndaj këtij sulmi të paprecedentë me drone rus ndaj një anëtari të OKB-së, BE-së dhe NATO-s”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Radosław Sikorski i cituar nga The Guardian. Sikorski gjithashtu këmbënguli se sulmi ishte i qëllimshëm. “19 shkelje të hapësirës sonë ajrore, dhjetëra dronë të identifikuar, disa të rrëzuar, një aksion që zgjati 7 orë, praktikisht të gjithë natën – kështu zor se mund të themi që ishte një aksident, u shpreh zyrtari i lartë polak.
Sikorski shtoi se vendi i tij ka marrë “një tsunami deklaratash mbështetjeje nga aleatët, por ama ka nevojë që kjo të përkthehet në fakte”. Më tej, paralajmëroi gjithashtu kundër sugjerimeve se dronët ishin me origjinë ukrainase, jo ruse, duke i hedhur poshtë ato si pjesë të një fushate dezinformimi rus.
Polonia ka vendosur ndërkohë kufizime të trafikut ajror përgjatë kufijve të saj lindorë me Bjellorusinë dhe Ukrainën. Njoftimin e bëri Komanda Operative e Forcave të Armatosura. Ky vendim vjen mes tensioneve të shtuara një ditë pasi disa dronë shkelën në hapësirën ajrore të këtij vendi anëtar të NATO-s e Polonia rrëzoi një pjesë të tyre. Ky incident përmban të parën herë që një anëtar i aleancës ushtarake perëndimore ka hapur zjarr gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi të mërkurën se dronët e saj kishin ndërmarrë një sulm të madh ndaj objekteve ushtarake në Ukrainën perëndimore, por nuk kishte planifikuar të godiste asnjë shënjestër në Poloni.
Top Channel