Orar policor dixhital në Francë, ndalohen rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

11/09/2025 16:14

Franca po hedh hapa drejt masash drastike përsa i takon rrjeteve sociale.

Një raport i Parlamentit të Francës për TikTok-un rekomandoi ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe vendosjen e një të ashtuquajturi “orari policor dixhital” për adoleshentët e moshës 15 deri në 18-vjeç, në përpjekje për ta frenuar ndikimin negativ mbi shëndetin e tyre.

“Një ndalim i tillë do të dërgonte një mesazh si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit, se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme para moshës 15-vjeçare. Në fakt, është e kundërta.  Komisioni ka intervistuar familje viktimash, menaxherë të platformave sociale dhe influencerë për të analizuar algoritmin e TikTok-ut, një aplikacion jashtëzakonisht i popullarizuar mes të rinjve, i cili kopjohet edhe nga rrjete të tjera sociale”, shprehet Laure Miller, raportuese e komisionit parlamentar hetimor.

Komisioni në fjalë u ngrit pas proceseve ligjore kundër TikTok-ut në Francë në fund të vitit 2024, të nisura në vazhdën e një padie nga shtatë familje që akuzuan platformën se ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve që mund t’i nxisin drejt vetëvrasjes. Prindërit thonë se për ta është e vështirë ta kontrollojnë një gjë të tillë. Një prej tyre e identifikuar vetëm si Geraldine, humbi vajzën e saj 18 vjeçare Penelope shkurtin e vitit 2024. Vajza, e cila kreu vetëvrasje kishte parë në TikTok video me përmbajtje që nxisnin vetëlëndimin. TikTok-u pretendon nga ana e tij se siguria e të rinjve mbetet prioritet kryesor i kompanisë.

Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, Spanjën dhe Greqinë, kohët e fundit i kanë bërë thirrje Brukselit për rregullim më të rreptë të platformave online për fëmijët, për shkak të shqetësimeve mbi varësinë, bullizmin dixhital dhe gjuhën e urrejtjes të përdorur aty.

Top Channel