
Kryeministri Edi Rama caktoi në drejtimin e Ministrisë së Brendshme Albana Koçiun, që deri më sot drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Duke thënë se kjo Ministri nuk është vetëm në funksion të Policisë, Rama, në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së, vuri theksin te nevoja për caktimin e adresave. Po ashtu, foli për sistemin e zjarrfikëses, që e cilësoi të prapambetur.
“Sot zjarret janë problemi ynë më i madh. Kanë dalë në plan të parë. Ministria e Brendshme duhet të bëhet Ministri e Punëve të Brendshme, të ngrihet në një nivel tjetër. Administrata nuk mund të jetë më e zhytur në kënetë. Problematika e imigracionit, gjendja civile, standardet e shërbimeve të kompanisë së sigurisë private, që vetëm kur ndodh ndonjë gjë, themi çfarë bëhet me këta. Pronat e sekuestruara, që i riblejnë prapë pronarët, është vënë rregull, por nuk mjafton”.
Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 Korrik 1977. Prej shtatorit 2023, ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Përpara kësaj detyre, Koçiu ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013. Në kuadër të kësaj detyre, znj. Albana Koçiu u emërua nga qeveria shqiptare si negociatore në procesin screening me Komisionin Evropian, duke kryesuar delegacionet shqiptare në nivel teknik lidhur me procesin e Reformës së Administratës Publike (PAR).
Top Channel