
Autoritetet bjelloruse kanë liruar 52 të burgosur politikë, përfshirë 14 shtetas të huaj, pas një vizite të një delegacioni amerikan në Minsk, në një përpjekje të re të presidentit Alexander Lukashenko për të balancuar marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit.
Lirimi i ndodhur të enjten konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë gjatë sundimit autoritar të Lukashenkos dhe vjen në kohën kur ai kërkon përmirësim të marrëdhënieve me SHBA-në dhe lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare që kanë rënduar mbi ekonominë e vendit.
Mes të liruarve ishin edhe 14 të huaj: një britanik, një francez, gjashtë lituanezë, dy letonezë, dy polakë dhe dy gjermanë, si dhe 38 shtetas bjellorusë që mbaheshin si të burgosur politikë.
Sipas kanaleve opozitare bjelloruse, ndër të huajt e liruar ishte edhe Julia Fenner, 52 vjeç, me shtetësi britanike dhe bjelloruse, e cila ishte arrestuar në mars 2024 dhe ishte dënuar me 7 vite burg për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare të vitit 2020. Mediat e pavarura bjelloruse raportojnë se Fenner ka punuar më parë në ambasadën britanike në Minsk, por lajmi për lirimin e saj nuk është konfirmuar ende nga burime të pavarura.
Në këmbim të lirimit, Shtetet e Bashkuara pritet të lehtësojnë sanksionet ndaj linjës ajrore kombëtare të Bjellorusisë, Belavia, duke i mundësuar asaj të blejë pjesë këmbimi për avionët Boeing dhe të rifillojë disa operacione ndërkombëtare.
Agjencitë shtetërore bjelloruse cituan gjithashtu John Coale, avokat amerikan dhe udhëheqës i delegacionit, i cili deklaroi se Donald Trump ka shprehur interes për rihapjen e ambasadës amerikane në Minsk. Sipas tij, Uashingtoni është i gatshëm të angazhohet më ngushtë me regjimin bjellorus, nëse ky i fundit tregon vullnet për reforma dhe lirimin e plotë të të burgosurve politikë.
Një zyrtar i administratës Trump tha se SHBA mirëpret lirimin e të burgosurve dhe do të vazhdojë të angazhohet për lirimin e rreth 1,300 personave që mbeten ende pas hekurave për arsye politike në Bjellorusi.
Delegacioni amerikan pritet gjithashtu të diskutojë çështje të sigurisë rajonale, përfshirë ndalimin e përdorimit të emigracionit të paligjshëm si “armë” politike kundër vendeve anëtare të NATO-s.
Analistët ndërkombëtarë shohin në këtë lëvizje një përpjekje të Lukashenkos për të përfituar nga qëndrimi i Donald Trump ndaj luftës në Ukrainë dhe për të pozicionuar veten si një ndërmjetës potencial mes Rusisë dhe Perëndimit – një rol që do t’i siguronte më shumë peshë ndërkombëtare dhe, njëkohësisht, do t’i ruante sovranitetin përballë ndikimit gjithnjë e më agresiv të Moskës.
“Detyra jonë është të qëndrojmë pranë Trump dhe ta ndihmojmë të vendosë paqen,” deklaroi Lukashenko të enjten, duke iu referuar deklaratave të Trump se ai mund të zgjidhë disa nga konfliktet më të mëdha globale.
Nga ana tjetër, Trump e ka përshkruar Lukashenkon si një “udhëheqës shumë të respektuar”, një qëndrim që bie në kontrast të fortë me përpjekjet e vendeve evropiane për të izoluar liderin bjellorus pas shtypjes brutale të protestave të vitit 2020.
Në muajin qershor, pas një vizite tjetër nga i dërguari i SHBA për Ukrainën, Keith Kellogg, u lirua edhe Syarhei Tsikhanouski, një nga figurat kryesore të opozitës, i dënuar me gati pesë vite burg.
Ndërkohë, liderja opozitare në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, reagoi në rrjetin social X, duke shkruar:
“Sot, Presidenti Trump dhe ekipi i tij siguruan lirimin e 52 pengjeve politike në Bjellorusi – 38 bjellorusë dhe 14 të huaj. Jemi mirënjohës për udhëheqjen e fortë amerikane. Mbi 1,200 të tjerë mbeten ende në burg – të gjithë duhet të lirohen.”
Top Channel