Gjendet arma e dyshuar në vrasjen e Charlie Kirk, autoritetet amerikane: Kemi pamje të qarta të autorit

11/09/2025 16:39

Autoritetet amerikane kanë zbuluar një pushkë që besohet të jetë arma me të cilën u vra aktivisti Charlie Kirk.

Arma dhe municioni luftarak janë gjetur në një zonë pyjore pranë vendit ku ndodhi ngjarja të mërkurën, thanë burime pranë hetimeve.

Në pushkë janë gjetur disa shkronja të gdhendura, të cilat po analizohen nga hetuesit. Autoritetet po punojnë për identifikimin e autorit dhe po përpiqen të kuptojnë nëse mesazhet e gjetura lidhen me motivin e sulmit.

Robert Bohls, agjenti special i FBI-së në Salt Lake City, deklaroi se pushka është gjetur në zonën ku besohet se autori u largua pas ngjarjes. Laboratori i FBI-së do të kryejë analizat përkatëse mbi armën.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat e vrasjes.

Top Channel