E djathta ekstreme në SHBA bën thirrje për hakmarrje pas ekzekutimit të Charlie Kirk: E majta na ka hapur luftë/ Musk: Janë partia e vrasësve

11/09/2025 10:37

Pas tronditjes për vrasjen e aktivistit dhe influencuesit konservator Charlie Kirk, Presidenti amerikan Donald Trump doli me një mesazh të ashpër nga Zyra Ovale, duke akuzuar hapur “të majtën radikale” dhe mediat si nxitës të klimës që çoi në këtë ngjarje tragjike.

“Për vite, e majta radikale ka krahasuar amerikanë të mrekullueshëm si Charlie me nazistët dhe me vrasësit më të mëdhenj masivë. Ky lloj retorike është drejtpërdrejt përgjegjës për terrorizmin që shohim sot në vend,” deklaroi Trump në një fjalim të publikuar në rrjetin e tij Truth Social.

Të djathtët ndezin rrjetet sociale

Mesazhi i Trump u amplifikua menjëherë nga influencues, republikanë dhe figura të djathta ekstreme, të cilët ia faturuan fajin së majtës dhe paralajmëruan hakmarrje.

Alex Jones, teoricien konspirativ, shpalli: “Kjo është një luftë, kjo është një luftë, kjo është një luftë.”

Stewart Rhodes, themeluesi i Oath Keepers (i falur nga Trump pas dënimit për 6 janarin), premtoi rindërtimin e milicisë së tij dhe i bëri thirrje presidentit të përdorë Aktin e Kryengritjes: “Duhet të shpallësh se e majta është në rebelim të hapur kundër ligjit të SHBA.”

Elon Musk, në rrjetin e tij social X, shkroi shkurt: “E majta është partia e vrasësve.”

Greg Gutfeld (Fox News) u zotua se lëvizja konservatore do të forcohej: “Nëse menduat se do ta mbyllnit këtë lëvizje, do të zhgënjeheni. Na keni zgjuar fuqishëm.”

Matt Boyle (Breitbart), në një bisedë me Steve Bannon, foli për rrezikun e një lufte civile: “Në Amerikë është ndezur një fitil.”

Kevin Roberts, president i Heritage Foundation, e quajti Kirk-un “martir” dhe kërkoi që vdekja e tij të shërbejë si “pikë kthese” për vendin.

Edhe influencuesja Laura Loomer e quajti të majtën “terroriste”, ndërsa Chris Rufo kërkoi masa të forta shtetërore kundër “kaosit të së majtës radikale”.

Përplasje politike në Kongres

Debati shpërtheu edhe në Kongres, ku republikanët kërkuan një minutë heshtje për Kirk. Demokratët refuzuan, duke shkaktuar tension. Deputetja republikane Anna Paulina Luna akuzoi kundërshtarët: “Çdo njëri prej jush që na ka quajtur fashistë është përgjegjës për këtë vrasje.”

Në të njëjtën linjë edhe guvernatori republikan i Utah-ut, ku ndodhi atentati, e quajti ngjarjen “vrasje politike”.

Një vend në prag shpërthimi

Vrasja e Kirk vjen në një periudhë të rritjes alarmante të dhunës politike në SHBA. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, autoritetet kanë regjistruar 150 sulme me motive politike, pothuajse dyfishi i një viti më parë.

Mesazhet e ashpra dhe thirrjet për hakmarrje pas vdekjes së Kirk po ushqejnë frikën e një përshkallëzimi të rrezikshëm në një Amerikë tashmë të përçarë dhe të polarizuar thellë.

Top Channel