Donald Trump përkujton viktimat e 11 Shtatorit: Nuk do ta harrojmë kurrë atë ditë të errët për Amerikën

11/09/2025 17:38

Presidenti Donald Trump përkujtoi të enjten, nga Pentagoni, 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke i bërë homazhe 2,977 viktimave dhe duke u zotuar se “nuk do ta harrojë kurrë” atë ditë të errët për Amerikën.

“Përbindësha të egër sulmuan simbolet e qytetërimit tonë. Megjithatë, këtu në Virxhinia, në Nju Jork dhe në qiellin e Pensilvanisë, amerikanët nuk u lëkundën. Ata qëndruan në këmbë dhe i treguan botës se ne nuk do të tërhiqemi, nuk do të përkulemi, nuk do të dorëzohemi dhe flamuri ynë i madh amerikan nuk do të dështojë kurrë”, tha ai.

Trump ndau historitë personale të disa prej viktimave, duke përfshirë mesazhin e Brian Sweeney drejtuar gruas së tij Julie nga United Flight 175, thirrjen e asistentit të fluturimit Renee May drejtuar nënës teksa i thoshte “Të dua”, thirrjen e Tom McGinnis nga kati i 92-të i Kullës Veriore dhe trimërinë e Chuck Costello, i cili vrapoi në Qendrën Botërore të Tregtisë për të liruar njerëzit e bllokuar në ashensorë.

“Atë ditë, mësuam se shpirti heroik amerikan ishte kudo përreth nesh. E pamë atë te oficerët e policisë, zjarrfikësit e shkëlqyer, anëtarët e forcave të armatosura këtu në Pentagon dhe në zemrat e çdo amerikani që iu përgjigj thirrjes së historisë”, tha ai.

Trump, gjatë fjalimit të tij, nuk harroi të përmendte politikën, duke përsëritur deklaratën e tij se Amerika ishte një “vend i vdekur” nën presidencën e paraardhësit të tij dhe duke u mburrur me propozimin e tij për ta riemëruar Departamentin e Mbrojtjes në Departamentin e Luftës. “Vitin e kaluar ishim një vend i vdekur. Tani kemi vendin më të nxehtë në botë”, tha ai.

Top Channel