“Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim”/ Ristani uron Manastirliun: E bindur në fitoren e PS për Tiranën

11/09/2025 15:45

Pas propozimit të Edi Ramës për kryetare bashkie në kryeqytet të Ogerta Manastirliut, ka reagua kryetarja e Komanduar, Anuela Ristani.

Ndër të tjera ajo shprehet se deri në ditën e fundit do të qëndrojë në detyrë me të njëjtin përkushtim.

Deklaratë e Kryetares së Komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani:

Tirana është sfida dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale. Për më shumë se dhjetë vite kam pasur nderin të shërbej për këtë qytet, duke dhënë më të mirën, e bindur se Tirana meriton më të mirën.

Detyra ime si Kryetare e Deleguar ka ardhur në periudhën më të vështirë dhe më të pazakontë për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetin. Në thellësinë e ndërgjegjes sime, kam bërë gjithçka që kam mundur, duke e ndier këtë përgjegjësi si një detyrim moral dhe qytetar: me vendosmërinë për të mos çbërë asnjë milimetër nga progresi i arritur gjatë këtyre dhjetë viteve.

Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon.

Në këto muaj, sfidat kanë qenë kryefjala. Ndaj dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për çdo koleg, çdo qytetar që ka kontribuar, dhe veçanërisht për Kryeministrin z. Edi Rama, për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe në momentet më delikate.

Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë.

E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim!

Top Channel