BE do të pezullojë pagesat për Izraelin? Von der Leyen: Sanksione ministrave izraelitë

11/09/2025 15:39

Në një fjalim në të cilin përdori si rrallëherë tone jashtëzakonisht të ashpra ndaj Izraelit, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen propozoi pezullimin e mbështetjes financiare për shtetin hebre.

Përpara Parlamentit Europian në Strasburg, shefja e KE-së foli gjithashtu edhe për sanksionim të ministrave “ekstremistë” izraelitë dhe të kolonëve të dhunshëm.

“Ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës. Njerëz të vrarë ndërsa lypin ushqim. Nëna që mbajnë në krahë foshnje të pajetë. Këto pamje janë vërtet katastrofike. Ne do ta pezullojmë mbështetjen tonë për Izraelin”, tha Von der Leyen.

Fjala është ndër të tjerë për ministrin e Financave, Bezalel Smotrih dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, të cilët janë vetë kolonë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe avokatë të fortë të vazhdimit dhe të zgjerimit të ngulimeve të paligjshme izraelite në rajon.

Gjatë fjalimit vjetor “Gjendja e Bashkimit Europian” von der Leyen, pohoi megjithatë se është e ndërgjegjshme që jo të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jenë në të njëjtën linjë me propozimet e saj. Megjithatë, mbështetje në sallë u duk qartë që pati.

Një numër i madh anëtarësh të parlamentit kishin veshur me xhaketa apo bluza të kuqe për të simbolizuar një “vijë demarkacioni për Gazën”.

Një sërë anëtarësh të Parlamentit u shprehën të lehtësuar që Presidentja von der Leyen tani po mban një qëndrim më të vendosur ndaj Izraelit.

“Më në fund, diçka po lëviz”, tha Sandro Gozi, eurodeputet liberal, ish-ministër i Italisë për Çështjet Evropiane.

Top Channel