
Avokatët e Erion Veliajt hedhin poshtë akuzat e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, me argumentin se nuk ka asnjë provë apo fakt të abuzimit të tij me detyrën publike.
“Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet asnjë lidhje midis veprimtarisë së tij si Kryetar i Bashkisë dhe ndonjë privilegj të paligjshëm për ndonjë subjekt privat; asnjë abuzim me detyrën publike që i është besuar për tre mandate nga qytetarët e Tiranës”, thekson mbrojtja e Veliajt. Sipas avokatëve, deklarata e SPAK “nuk është vetëm në kundërshtim të plotë me prezumimin e pafajësisë, por në rastin më të mirë tregon një keqkuptim themelor, ose në rastin më të keq, një shpërfillje totale të parimeve themelore të drejtësisë penale”-thuhet në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë:
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdon t’i mohojë kategorikisht të gjitha akuzat për shkelje, ashtu siç ka bërë që prej fillimit të hetimit, dy vite më parë.
Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet:
• asnjë lidhje midis veprimtarisë së tij si Kryetar i Bashkisë dhe ndonjë privilegj të paligjshëm për ndonjë subjekt privat;
• asnjë abuzim me detyrën publike që i është besuar për tre mandate nga qytetarët e Tiranës;
• dhe mbi të gjitha:
Asnjë provë
Asnjë fakt
Asnjë dokument
Përkundër përshtypjeve që synon të krijojë deklarata e SPAK-ut, asnjë gjyqtar paraprak apo gjykatë nuk ka shqyrtuar ende ndonjë nga akuzat apo ndonjë provë në mbështetje të tyre.
Ne jemi të shqetësuar nga shpërfillja e normave bazë që udhëheqin zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve të ngjashme penale në një sistem drejtësie demokratik. Asnjë hetues apo prokuror i pjekur dhe i përgjegjshëm, që është i ndërgjegjshëm për rolin e tij në procesin e drejtësisë, nuk duhet të bëjë deklarata të kësaj natyre. Kjo nuk është vetëm në kundërshtim të plotë me prezumimin e pafajësisë, por në rastin më të mirë tregon një keqkuptim themelor, ose në rastin më të keq, një shpërfillje totale të parimeve themelore të drejtësisë penale.
Thënë thjesht, nëse një prokuror e ka “provuar” një çështje kundër një të pandehuri sipas standardit të kërkuar, është një çështje që i takon vetëm gjykatës së shqyrtimit. Deklarata publike e SPAK-ut duket se është hartuar për të shkaktuar paragjykimin maksimal ndaj z. Veliaj, si në opinionin publik, ashtu edhe në çdo gjykatë. Kjo sjellje është në përputhje me veprimet e SPAK-ut gjatë gjithë hetimit, ku kanë ndodhur shkelje të përsëritura, sistematike dhe të rënda të procesit të rregullt ligjor.
Ky është një proces që:
• ka nisur mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar;
• është zhvilluar për një periudhë prej të paktën 7 muaj, pa asnjë autorizim të vlefshëm ligjor;
• është mbështetur në hapje të korespondecave private pa autorizim të gjykatës dhe parashikim të ligjit;
• ka përfshirë deklarime vetëinkriminuese të marra nën presion;
• është drejtuar nga një individ që nuk ka qenë asnjëherë prokuror ligjërisht i Republikës;
• ka shkelur në mënyrë flagrante afatet hetimore të përcaktuara nga ligji;
• ka mohuar brutalisht të drejtën e mbrojtjes dhe kundërshtimeve ndaj hetimit.
Z. Veliaj i është caktuar një masë sigurimi e jashtëzakonshme dhe krejtësisht disproporcionale, në një kohë kur është në ushtrim të një mandati kushtetues si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë, me mbështetjen e 160 mijë qytetarëve që i besuan drejtimin e qytetit më të madh shqipfolës.
Ne si përfaqësues ligjorë të z. Veliaj mbetemi të vendosur të çmontojmë, rresht pas rreshti, çdo pretendim të ngritur mbi këtë proces të montuar me shkelje. Jo vetëm për të mbrojtur qytetarin e parë të Tiranës, që ka ushtruar funksionin e tij me përgjegjësi kushtetuese dhe devocion, por për të mbrojtur vetë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rendi kushtetues.
Çdo rresht i asaj kërkese të nisur në gjykatë, do të çmontohet po aty dhe bazuar në ligj.
Top Channel