
Tensioni në kufirin lindor të NATO-s po rritet ndjeshëm, pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë të dyshuar rusë.
Lajmi u konfirmua nga kryeministri polak, Donald Tusk, i cili e quajti situatën “më të rrezikshmen që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Tusk deklaroi se ushtria polake është detyruar të përdorë armë ndaj disa prej objekteve fluturuese, ndërsa radarët kanë kapur të paktën 10 dronë që kanë hyrë brenda territorit ajror polak. Ai shtoi se Varshava po shqyrton seriozisht aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili thërret në konsultime urgjente të aleatëve në rast kërcënimi ndaj integritetit territorial të një vendi anëtar.
Ministria e Mbrojtjes e Polonisë e ka përshkruar incidentin si një “akt agresioni”, ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar këtë si një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për të gjithë Evropën”.
Presidenti amerikan Donald Trump, përmes rrjetit të tij Truth Social, ka reaguar me një koment të shkurtër, por shumë domethënës: “Pse Rusia po e shkel hapësirën ajrore polake me dronë? Ja ku jemi!”
Komenti i Trump, i cili vjen në një kohë kur ai po përgatitet për një rikandidim për Shtëpinë e Bardhë, u interpretua nga analistët si një sinjal alarmi për rritjen e tensioneve në Evropë, me pasoja të mundshme edhe për Shtetet e Bashkuara.
Top Channel