
Avokati Besart Logu mohon akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij, nën dyshimin se i ka marrë 8 mijë euro ryshfet një klienti duke i premtuar se do të ushtronte ndikimin e tij tek gjyqtarët për t’i lehtësuar masën e sigurisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, avokati tha se u ndalua këtë mëngjes teksa shoqëronte vajzën për në shkollë dhe agjentët i komunikuan vendim e GJKKO-së, që e la në arrest shtëpie.
“Sot, rreth orës 08:30 të mëngjesit, tek po çoja vajzën në kopsht e për të nisur më pas rutinën ditore, jam ndaluar në hyrjen e pallatit nga agjentë të Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku më është komunikuar vendimi i GJKKO në lidhje me masën e sigurimit dhe të kontrollit personal, të banesës si dhe të zyrës ku ushtroj aktivitetin”.
Logu pretendon se gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo çdo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit.
“Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale të mundshme. Gjatë gjithë karrierës time si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë duke patur prioritet vetëm interesin e klientit dhe kjo brënda kornizave që rregullon ligji.
Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t’i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati”.
Avokati vijon më tej, duke thënë se nuk është i përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo veprimtari tjetër të jashtëligjshëm.
“Lajmi i keq në gjithë këtë histori është se po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit. Kjo tendencë duket edhe tek ndryshimet e Kodit Penal ku qeveria vlerëson si element penal edhe rastin kur ke marrë më shumë para nga sa ke ofruar shërbim.
Kështu, jam i gatshëm të përballem me këtë akuzë sepse jam i bindur në një të vërtetë absolute:
▪︎ Nuk kam marrë para për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
▪︎ Nuk kam takuar asnjë zyrtar drejtësie
▪︎ Si dhe nuk është marrë mbrapsht asnjë shërbim i kundraligjshëm.
Këtë e provon çështja në fjalë dhe e gjithë ecuria e saj. I vetmi problem momental për mua është shqetësimi i krijuar tek familja e tek të njohurit të cilët gjej rastin t’i falenderoj per suportin moral që më kanë dhënë”.
Statusin e mbyll me një ironi: “kur isha para agjentëve të Policisë mu kujtua skeçi i Fadil Hasës ku prokuroria politike e kohës i komunikonte akuzat dhe ai fliste me vete “Sa i rrezikshëm paskam qenë”!
Logu, sipas të dhënave që vetë ai ta bashkangjitur në rrjetet e tij sociale, është po ashtu zv.drejtor në Departamentin e Drejtësisë në Partinë Demokratike.
Më herët ai ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, prej korrikut 2021 deri në qershor 2025. Ndërkohë, nga nëntori 2023 deri në mars 2024 ai ka qenë sekretar i PD në degën numër 7 në Tiranë.
Top Channel