
Gjatë konferencës Ndërkombëtare për Qeverisje, me një panel diskutimi për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se vendi jonë ka bërë një hap shumë të madh në lidhje me digjitalizimin.
Rama shprehet se përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, po bëhet në kohë rekord përkthimi i kapitujve për anëtarësimin në BE. Po ashtu tha se teknologjia i ka ardhur në ndihmë vendit për krijimin e disa shërbimeve online që lehtësojnë jetën e qytetarëve.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te procesi i anëtarësimit në BE, teksa tha se për ne është po aq i rëndësishëm, edhe më i rëndësishëm se rezultati përfundimtar.
Edhe në këtë takim Rama nuk i ka kursyer batutat kur tha: Kjo mund të ishte trashëgimia më e madhe që ne mund ti japim fëmijëve tanë, për tu rritur dhe të jetojnë në një shtet ku institucionet të funksionojnë, jo si në Gjermani, “larg qoftë”, por le të themi si në Itali ose në një vend tjetër mesdhetar, sepse ne asnjëherë nuk kemi për tu bërë Gjermania edhe nëse e kemi ndihmën e Bashkimit Europian.
“Faleminderit shumë! Është kënaqësi të jem i pranishëm këtu së bashku me Besnikun dhe miqtë dhe të kem mundësinë të ndaj disa mendime, në vend që të mbaj një fjalim.
Nga njëra anë kemi procesin me BE-në i cili është përtej pjesës politike, po nga ana teknike është një bekim sepse është i vetmi kanal ku mund të transferojmë njohurinë dhe i cili tregon se si të drejtohen institucionet. Kur ti ke institucione dhe i referohem Britanisë, duket më pak tërheqëse, por kur nuk ke institucione është një bekim, prandaj si Shqipëria ka për të ndërtuar institucione nëse nuk e bën nëpërmjet këtij kanali dhe nuk e bën nëpërmjet këtij procesi neurologjik, midis këtyre pragjeve, kritereve, standardeve dhe midis të gjitha gjërave të cilat duken të çmendura dhe në fakt janë të çmendura, por në fund është një kurbë mësimi.
Prandaj teknologjia e re, mund të na japë shteteve si ne, mundësinë që të bëjmë hapa të cilët ndryshe do të ishin të pamundur. Pra thjesht imagjinoni, nëse teknologjia digjitale nuk do të ishte e zbatueshme, si do të kishim ne mundësinë që të jemi në atë pozicion dhe të ofronin me qindra-mijëra shërbime online dhe atëherë kanë qenë miliona njerëz që qëndronin në rradhë për të marrë një certifikatë lindjeje, thjesht për të marrë një dokument që tregon që ti ekziston, ti duhet të qëndrosh në radhë fizikisht dhe tw presësh, dhe kjo ndodh dhe falë teknologjisë që ne sot jemi në këtë pozicion ku mund të bëjmë diçka të tillë. Edhe në fusha të tjera, ne tanimë kemi krijuar një model, i cili funksionon për ne nëpërmjet inteligjencës artificiale dhe ajo që të tjerët bënë për shtatë vite, – Kroacisë iu deshën shtatë vite, – ne mund ta bëjmë në më pak se dy vite dhe jemi duke bërë atë shumë shumë shpejt. Do të ishte e pamundur pa teknologjinë.
Ose prokurimet publike; ne kemi bërë progres të konsiderueshëm dhe tani ne synojmë që të kemi modelin e parë në Evropë të prokurimeve publike nëpërmjet inteligjencës artificiale, e cila do të jetë komplet me inteligjencë artificiale nga A-ja te Zh-ja dhe kjo do i bëjë prokurimet publike absolutisht transparente dhe nuk do të jetë fare e kontestueshme. Ndoshta një prej efekteve anësore do të jetë se shumë persona nuk do të dëshirojnë më të merren me politikë, por në rregull. Është në rregull, punë e madhe. Ky ndoshta do të jetë një efekt, sepse prokurimet publike janë një arsye shumë e mirë pse personat merren me politikë.
Këto janë dy aleatët tanë shumë të mirë që na ka dhënë koha, pjesa e transferimit të njohurisë për pjesën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe teknologjinë. Unë gjithmonë e kam thënë, nuk ka pasur dyshime se për ne, procesi është po aq i rëndësishëm, nëse jo, edhe më i rëndësishëm se rezultati, ajo në të qenurit shtete, vende anëtare të BE-së, pra udhëtimi është ai që ne kemi nevojë, sepse nëse ne bëhemi një vend i cili vepron nga ana institucionale, si një vend anëtar i Bashkimit Europian, kjo mund të ishte trashëgimia më e madhe që ne mund ti japim fëmijëve tanë, për tu rritur dhe të jetojnë në një shtet ku institucionet të funksionojnë, jo si në Gjermani, “larg qoftë”, por le të themi si në Itali ose në një vend tjetër mesdhetar, sepse ne asnjëherë nuk kemi për tu bërë Gjermania edhe nëse e kemi ndihmën e Bashkimit Europian.
Prandaj, ne kemi nevojë që të mos e humbasim plotësisht mundësinë që të kemi disa gjëra të vogla në jetët tona, pjesën e gëzueshme të jetës dhe kjo është arsyeja pse të gjithë ambasadorët dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri nga sa është misioni i tyre dhe kur largohen janë gjithmonë të trishtuar.
Eksportimi i demokracisë nuk është një ide e mirë. Kjo është ajo çfarë unë mund të them nga këndvështrimi im pra, kushdo që mendon se kjo është të shkosh shumë larg, që po them këtë, pra eksportimi i modelit nuk është një gjë e mirë, por në fakt kështu mendoj, sepse ideja e eksportimit të demokracisë, ata që kanë patur këtë ide kanë bërë disa gabime të çmendura. Pra, eksportimi i modelit tuaj, kjo ide sjell shumë dëm për vetveten dhe në rastin tonë, ne nuk jemi në gjendje që të eksportojmë modelin dhe të dëmtojmë të tjerët. Vendet e mëdha e kanë bërë këtë deri tani, por ne, edhe nëse mendojmë që të eksportojmë modelin tonë, ne mund të dëmtojmë veten tonë, sepse mund të përballemi me gjëra jo të mira.
Por çfarë të bëjmë? Është që të krijojmë një model të mirë për shoqërinë tonë bazuar, mbështetur tek ajo që ne kemi zgjedhur lirisht, që të jemi pjesë e këtij komuniteti vendesh, të cilat besojnë në disa gjëra të caktuara, por këto gjëra të caktuara nuk mund të na bëjnë ne që të paragjykojmë vendet e tjera. Shikoni vendet e Lindjes së Mesme. Si mund t’i paragjykojmë ne ata pse ata nuk kanë të njëjtin sistem. Ne nuk mund ta bëjmë këtë, ne nuk duhet ta bëjmë këtë. Në fakt, ne duhet t’i respektojmë dhe duhet të mësojmë prej tyre dhe ata duhet të mësojnë prej nesh, por jo t’i mbështesim, t’i bazojmë marrëdhëniet tona mbi faktin se sa të tjerët na pëlqejnë ne. Pra, unë besoj që në Perëndim kjo është bërë një lloj gjëje e mërzitshme, kur të tjerët vetëm japin leksione dhe flasin për demokracinë, përkundrejt autokracisë.
Kush jemi ne që të vendosim se si duhet të funksionojë bota?
Ne duhet të punojmë së bashku, të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë atë që ne duam, që na pëlqen të ndërtojmë. Shqipëria asnjëherë s’ka patur mundësinë më parë që të zgjedhë lirisht se me kë të jetojë. Ne kemi qenë viktima të zgjedhjeve të të tjerëve. Për herë të parë në histori, tashmë ne kemi zgjedhur si shtet, si komb, që ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është një zgjedhje që ka bërë kombi, vendi, është fantastike, është shumë mirë. Ne nuk mund të shkojmë edhe të flasim, të japim leksion te të tjerët pse ju nuk doni të jeni si ne. Ata do të qeshin, ashtu si ata vërtetë qeshin, por duan të tregohen edhe të mirësjellshëm me ne, kështu që kjo ishte ideja ime.
Gjithsesi, unë mendoj që është një gjë që ne mund të eksportojmë, që është prokurimi me anë të Inteligjencës Artificiale. Nëse ne do të ecim aq shpejt sa ne mendojmë dhe nëse të tjerët jo, atëherë unë nuk mendoj që të tjerët do ecin më shpejt se ne edhe vetëm në këtë mënyrë do të na surprizonin, por jo, nuk mendoj kështu. Ndoshta prokurimi publik në Britani mund të ekzistojë për një kohë të gjatë, por nuk ka pasur problem me integritetin nëse ne do t’ia dalim me sukses me anë të sistemit që kemi filluar dhe prandaj kemi filluar bashkëpunimin me Microsoft-in në lidhje me prokurimin publik, sepse ata gjithashtu do të na japin edhe të drejtën e modelit, pronësinë e modelit dhe kështu që pastaj ne do të kemi të drejtë që ta shesim atë dhe ne do të themi që në qoftë se doni të luftoni gjërat që nuk ecin mirë në vendin tuaj, korrupsionin, atëherë mund të merrni, të blini modelin tonë të prokurimit publik”, tha Rama.
Top Channel