Inside Story/ Plani kriminal i shkuar keq, i penduari i drejtësisë: Shoferi ishte me këmbë druri dhe…

10/09/2025 22:30

Në episodin e radhës, Dorjan Shkoza dha informacion për një objektiv që ishte më i qartë, më i cenueshëm.

Një kambist me emrin Astrit Ademi i cili jepte para me fajde. Sipas informacioneve, objektivi lëvizte zakonisht me 100 mijë euro në makinë…

Nuredin Dumani, e konfirmoi saktësinë e informacioneve përmes Festim Qolit, i cili gjithashtu garantonte se Astriti mbante shumë para me vete. Ishte i njohur si lojtar në tregun e parasë informale me fajde…

“Për këtë thirra Talo Çelën. Hajde hamë drekë se do falim. Nuk kishte diskutim, kur i thoshim njëri-tjetrit që hajde. Erdhi Talo i thash kështu kështu, edhe e pamë ku do e bënim grabitjen. Ke shtëpia ishte e pamundur, sepse ai e kishte shtëpinë e rrethuar, si dhe e kishte mbrapa rajonit të policisë. Edhe vendosëm ta bënim ke varrezat e makinave”

Në dëshminë e tij Dumani thotë se një ditë përpara grabitjes, një tentativë u dështoi pasi ata kanë bërë aksident rrugës drejt vendit ku ndodhej kambisti.

“Kemi shku dy ditë rresht me e bë atë vjedhjen. Ditën e parë, një ditë para grabitjes, Agim Gjini ishte shofer, unë isha pas sediljes së shoferit, pasagjer ishte Talo. Kemi bë nisjen nga garazhi për të shku aty. Por kur futesh në Maminas, është një rrugë që futesh aty, kryqëzim i vogël, ishte shumë shpejt Gimi. Mirëpo ai ka një këmbë druni, si duket i ngeci këmba ke pedali, nuk e realizoi dot kthesën mirë edhe i ra asaj bordurës”

Por, dështimi i parë pas të papriturës që u ndodhi rrugës thjesht e shtyti me 14 orë planin. Të njëjtët persona u nisën drejt Maminasit. Pasi arritën në vendin ku rrinte objektivi, arritën ta grabisin me lehtësi nën kërcënimin e armëve.

“Ato ishin 6-7 veta. U shtrinë, nuk bënë kundërshtim fare. Shkova ke makina, kam thyer xhamin e pasagjerit. Hapa bagazhin, kam ngrit atë që mban gomën rezervë edhe aty ishte një qese. Mora atë qesen, e pash që kishte lekë aty. Thash kaq ka. E kontrolluam edhe njëher tjetër aty, nuk kishte gjë. Hypëm në makinë prapë siç ishim i lamë shtri të gjithë. Ato ishin nja 20 mijë euro mesa kujtoj unë. Edhe ato i ndamë në mënyrë të barabartë”

Pak kohë pas kësaj ngjarje, më konkretisht, Shtatorin e 2013-tës, një rrugë pa kthim nisi për Nuredin Dumanin. Asokohe ai mori vendimin që e shndërroi përgjithmonë. Pranoi të kryente vrasjen e tij të parë me pagesë. Ajo periudhë për të, ishte një moment që ndau të kaluarën nga e ardhmja me një vijë të padukshme.

Top Channel