
Dikur zërat e fëmijëve dhe jehona e ziles së shkollës i jepnin jetë Drizarit të Mallakastrës.
Sot, qetësia e rëndë e braktisjes mbizotëron në korridoret bosh. Në oborrin e shkollës nuk dëgjohet më zëri i lojërave, por këmborët e bagëtive që kullosin aty ku dikur fëmijët mësuan shkrim e këndim.
Nga 400 nxënës që kishte dikur, sot janë vetëm pesë fëmijë, tre në klasë të tretë dhe dy në kopsht. Shkolla dikur ishte zemra e fshatit. Korridore plot me nxënës.
Sot, e njëjta shkollë ka dyer dhe dritare të thyera, muret të çara dhe pa xhama. Në vend të nxënësve, bagëtitë kanë zënë oborrin. Në një klasë të vetme, pesë fëmijë përpiqen të mësojnë, të rrethuar nga heshtja që rëndon mbi çdo bankë bosh.
Banorët tregojnë se emigracioni dhe braktisja kanë shuar jo vetëm shkollën, por edhe fshatin.
“Dikur këtu kishte jetë, kishte familje. Sot, rinia është larguar, fëmijët janë larguar, e ne kemi mbetur vetëm të moshuarit,” thotë një banor i moshuar me dhimbje në zë.
Por muret e shkollës flasin më shumë se njerëzit. Ato mbajnë ende mesazhe të gdhendura nga duart e nxënësve të dikurshëm: “Rroftë kombi shqiptar,” “Jam krenar që jam shqiptar,” dhe më e forta nga të gjitha: “Vdekje tradhtarëve.”
Kjo thirrje e fundit sot merr një kuptim tjetër. Tradhtarët ndoshta nuk janë vetëm individë, tradhtia është moskujdesi, indiferenca, mungesa e vizionit ndërsa ky fshat po shuhet.
Top Channel