
Një sulm ajror rus me bomba ka vrarë të paktën 21 civilë dhe ka plagosur shumë të tjerë në fshatin e Yarovës në rajonin lindor të Donjetskut, thanë zyrtarët ukrainas.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi sulmin ajror si “të drejtpërdrejtë mbi njerëzit. Civilët e zakonshëm”, duke shtuar se “sulme të tilla ruse nuk duhet të lihen pa një përgjigje të përshtatshme nga bota”.
Një video nga vendi i ngjarjes e ndarë nga Zelensky tregon pasojat e tmerrshme, me një numër trupash të pajetë, të veshur me rroba civile, të shtrirë në tokë. Disa nga njerëzit në pamjet filmike duket se janë të moshuar dhe shumë duken sikur kanë pësuar lëndime katastrofike.
Zelensky tha se viktimat u goditën ndërsa pensionet po shpërndaheshin në fshat, i cili është rreth dy milje larg vijave të frontit. Pagesat e pensioneve shpërndahen, nga shërbimi postar i Ukrainës.
Mbetjet e një furgoni, i cili duket të jetë një degë e lëvizshme e shërbimit postar, shihen gjithashtu në videon nga vendi i ngjarjes, me një kënd lojërash për fëmijë me dy rrëshqitëse të verdha të dukshme në sfond.
“Rusët sulmuan njerëz ndërsa ata po merrnin pensionet e tyre. Kjo nuk është luftë, ky është terrorizëm i pastër”, tha kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjetskut, Vadym Filashkin, duke shtuar se punonjësit e shpëtimit dhe mjekët janë ende në vendngjarje.
Top Channel