Nuk u është siguruar transporti, fëmijët në Porto Romano nuk nisin shkollën, prindërit në protestë: Duhet zgjidhur problemi

09/09/2025 14:12

185 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në zonën e Porto Romanos në Durrës prej dy ditësh nuk kanë shkuar në shkollë.

Atyre u mungon transporti drejt shkollës pritëse, ndaj prindërit kanë protestuar duke kërkuar marrjen e masave dhe zgjidhjen e situatës pa cenuar më gjatë shkollimin e fëmijëve të tyre që nuk mundën t’i gëzoheshin ditës së parë të shkollës. Shkolla e tyre po rindërtohet dhe mësimi është zhvendosur përkohësisht në shkollën “Neim Babameto” në Spitallë. Vitin e kaluar, për nxënësit u vu në dispozicion një autobuz, po këtë vit shkollor gjithçka ka ndryshuar.

“Kam dy fëmijë dhe i kemi lënë në shtëpi. Është e pamundur që një fëmijë i klasës së parë apo një adoleshent të shkojë me urban në shkollë. Fëmija nuk ka siguri. Vetë nuk i çojmë dot se jemi në punë”, u shpreh një banor.

“Kam tre fëmijë. Nuk më del të paguaj abone. Jam në punë, s’më del t’i çoj e t’i marr. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit të vej dorë sikur të ishin fëmijët e saj”.

“Na thanë që këtë vit do shkojnë me urban, por nuk ka logjikë. Pse vjet kishte transport, sivjet jo? Po ta kishin zgjidhur më herët, jo para nisjes së shkollës”, tha një tjetër.

Sipas një prej mësuesve të shkollës, Pjetër Biba, situata ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së shërbimit nga kompania e transportit, që nuk është paguar nga Bashkia.

Kompania që ofroi transportin vitin e kaluar nuk është paguar dhe ka ndërprerë shërbimin. Nuk duhej lënë në ditën e fundit. Urbani është i pasigurt edhe për ne të rriturit, jo më për fëmijët.”

Prindërit thonë se nuk do të dërgojnë fëmijët në shkollë derisa problemi të zgjidhet. Ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës së tyre, bllokim të rrugës, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve, veçanërisht Ministrisë së Arsimit për të rikthyer një shërbim që është domosdoshmëri për arsimimin dhe sigurinë e fëmijëve të tyre.

Top Channel