
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas ngjarjes së rëndë kriminale ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku dy persona u vranë me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
Salianji shprehet se Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë.
Ai shprehet se autori i krimit të sotëm ishte një person me precedentë të mëparshëm penal, për lëndë narkotike, i dënuar me vetëm një vit burg. “Ngjarja tragjike e sotme në Shkodër, me dy jetë të humbura dhe të plagosur qytetarë që dalin të sigurojnë jetën me punë është një dhimbje e madhe për familjet e viktimave dhe për gjithë qytetin. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe shpresoj shërim të shpejtë për të plagosurit.
Kjo tragjedi nuk është vetëm një rast i izoluar dhune, por pasojë e një qeverie që përdor gjithçka për të siguruar vota për pushtet, duke prodhuar një sistem drejtësie që prodhon padrejtësi. Krimineli i sotëm është denoncuar për kërcënim vrasje nga bashkëshortja, i kanë kapur 1.3 kg drogë, jelekë antiplumb, maska silikoni, foto me armë në rrjete dhe ka bërë thuajse një vit burg për tu liruar më pas nga gjykatat, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur, mijëra qytetarë popullojnë burgjet sot për disa gramë kanabis, mijëra të tjerë janë rrasur në burg se kanë suvatuar apo ndërtuar avlli apo stalla pa leje, e qindra të tjerë nuk dinë as pse dënohen vetëm se nuk kanë fuqi politike. E kam provuar vetë se si në të njëjtën kohë që kriminelë të rrezikshëm lirohen u dënova se denoncova këtë kategori të lidhur me qeverinë!
Kjo është fytyra e një qeverisje me drejtësi të kapur, që nuk mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë”, shkruan Salianji.
Top Channel