SHBA dhe europianët gati sanksionet e reja për Moskën, reagon Kremlini: Nuk na kanë pasur absolutisht asnjë efekt

08/09/2025 14:21

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar rrjedhën e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, theksoi se këto masa nuk kanë arritur të ndikojnë në vend.

“Në përgjithësi, mund të themi një gjë, ky numër i paparë sanksionesh, të vendosura ndaj vendit tonë gjatë katër viteve të fundit, nuk ka pasur absolutisht asnjë efekt”, shkroi Peskov në Telegram.

Ai theksoi se, pavarësisht shkallës dhe intensitetit të sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore, Rusia nuk u prek në thelbin e tyre.

Donald Trump deklaroi dje se është gati të vazhdojë me një fazë të dytë të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, duke nënkuptuar se është shumë afër forcimit të sanksioneve kundër Moskës ose blerësve të saj të naftës për shkak të luftës në Ukrainë.

Përgatitja nga BE e sanksioneve të reja kundër Rusisë po bëhet në koordinim të ngushtë me SHBA-në, deklaroi sot edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Peskov vuri në dukje se Evropa dhe Ukraina po bëjnë gjithçka që munden për të tërhequr SHBA-në në orbitën e tyre dhe shtoi se Kremlini preferon ta zgjidhë konfliktin me mjete diplomatike, por nëse kjo është e pamundur, atëherë “operacioni special ushtarak”, siç e quan Rusia, do të vazhdojë.

Ekonomia e luftës e Rusisë u rrit me 4.1% në vitin 2023 dhe 4.3% në vitin 2024 pavarësisht paketave të shumta të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, këtë vit ekonomia e saj po përballet me një ngadalësim të ndjeshëm nën peshën e normave të larta të interesit.

Ndërkohë, Komisioni Evropian njoftoi sot se David O’Sullivan, i dërguari special i BE-së për sanksionet, është në Uashington me një ekip ekspertësh për të diskutuar sanksione të mëtejshme kundër Rusisë me homologët amerikanë.

Top Channel