Viti i ri shkollor/ Fëmijët mes emocionesh nisin mësimin, rregullat e reja për nxënësit dhe mësuesit

08/09/2025 15:37

Nisi viti i ri shkollor. Shkollat pritën 345 mijë nxënës në sistemin parauniversitar shqiptar, mes tyre mbi 26 000 fëmijë ishin në emocionet e klasës së parë.

“Unë i thashë mamit: nesër fillon shkolla? Po më tha dhe s’më ka zënë gjumi gjithë natën!”, u shpreh një nxënëse e klasës së parë.

Katalea dhe Ajlon të pandarë në shtëpi, ecin në këtë rrugëtim të ri po bashkë. Motër e vëlla binjakë janë në të njëjtën klasë por jo të ulur pranë në bankë.

“Unë doja të rrija me shoqen. Mezi po prisnim të fillonim shkollën. Qëndrojmë me njëri tjetrin gjithmonë”, tha Katalea.

Nxënës të buzëqeshur por edhe nga ata në lot. Një përzierje ndjesish 8 shtatori si ditë e parë e shkollës, edhe për mësuesit.

“Edhe pse kam 26 vite punë, dita e parë me emocione gjithmonë. I dua fëmijët shumë”, tha një mësuese.

Në këtë fillimviti, duket se në duar nxënësit kanë zëvendësuar smartphonat me lulet.

Rregulla të reja janë miratuar, ku ndalohet përdorim i telefonave dhe pajisjeve të ndërlidhura me to jo vetëm gjatë procesit mësimor por edhe në çdo mjedis të shkollës. Kush nuk i bindet urdhrit, mjeti celular u fiket dhe u mbyllet në sirtar.

“Prindërit do të firmosin një deklaratë që dakordësohen me udhëzimin e ri dhe do të kenë bashkëpunim me stafin e shkollës. Sfidë është teknologjia se e dimë sa të lidhur janë të rinjtë.”

Ndryshimet prekin edhe mësuesit me kodin e ri të etikës në veshje si dhe në paraqitjen jashtë mjediseve shkollore e në rrjete sociale, si dhe do të shtohen  përgjegjësitë ndaj oficerëve të sigurisë dhe punonjësve psiko-social për raportimin në kohë reale të problematikave të sjelljeve të nxënësve, si dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale në kurrikul.

Top Channel