
Një 58-vjeçar nga fshati Rëmbec i Maliqit, i cili ndodhej në gjendje të rëndë në QSUT, pasi sipas policisë u godit nga kali, ka humbur jetën, ndërkohë që familjarët ngrenë pretendime për ngjarje kriminale.
Jorgo Ajredini në datën 13 gusht u dërgua nga familjarët në spitalin e qytetit të Korçës me plagë në kokë e më pas u transportua drejt Tiranës.
Policia e Korçës e referoi ngjarjen si aksidentale, por familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime se ngjarja është kriminale. Ata thonë se Ajredini u gjet pranë fushës së sportit të fshatit Rëmbec në një kanal, me disa plagë në kokë, të lokalizuara në ballë dhe pas veshëve, raporton korrespondentja e Top Channel, Dhorjela Çule. Sipas familjarëve, 58-vjeçari është goditur me sëpatë nga një banor i fshatit me të cilin kishte një konflikt për motive familjare, ngjarje e ndodhur rreth 1 vit e gjysmë më parë. Ajo ç’ka ngre dyshime, është komunikimi i të plagosurit me njërin prej vëllezërve, Agustin Ajredinin, të cilit i ka pohuar se e ka goditur një person i shkurtër nga Pogradeci. Ky ka qenë komunikimi i fundit i 58-vjeçarit me familjarët e tij, pasi gjendja shëndetësore u përkeqësua dhe ai ra në gjendje kome.
“Kam qenë në Rëmbec bashkë me vëllanë. U ndamë aty. E gjeta duke pirë ndonjë gotë te muzeumi, tek klubi. Vëllai mori kalin dhe shkoi ta lidhte në jonxhë, unë ika në shtëpi. Vjen kushëriri, më zgjon dhe më thotë: ‘Është goditur vëllai nga kali’. Shkuam 45 minuta para se ta nisnin në Tiranë. E pyeta vëllain dhe më tha: ‘S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci’. Shkova në Tiranë një ditë, të nesërmen e denoncova në Maliq. Çështja ishte shumë e rëndë. Ishte në gjendje kome, doktorët e ngritën lart, sepse ishte pak më mirë. ‘Më goditi’, tha vëllai, por s’qe i vetëdijshëm. Pastaj vajti prapë poshtë dhe e ngritën përsëri. Me pak fjalë e kanë goditur. Në vendin që duhej lidhur kali nuk ishte kali; ai duhej të ishte në jonxhë. Atij i bënë pritë. Kur tha ‘më goditën’ tha edhe ‘një i shkurtër nga Pogradeci’. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë“, u shpreh vëllai i viktimës, Agustin Ajredini.
“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rëmbec të Korçës. E gjetën kushërinjtë tanë dhe e sollën në Korçë. U tha se e kishte goditur kali. Vëllain e gjetën të hedhur në kanal, në dy vende kishte gjak dhe 4-5 metra më larg gjetën vëllain. E sollën në Korçë. Në kohën që do ta çonin në Tiranë, vëllai tha që nuk e kishte goditur kali, por e kishte goditur një njeri nga Pogradeci. Doli gjak nga goja dhe nuk mundi të fliste dot më. Vetullën e kishte të çarë, pas veshit kishte goditje tjetër dhe në nofull gjithashtu. Kjo vërteton që nuk është goditje kali, sepse ka goditje në disa vende. Këta djemtë që kanë dhënë deklaratat ishin të parët që e gjetën. Ka pasur një konflikt me një djalë nga Rëmbeci, ai u dënua dhe bëri burg. Ishte punë dashurie, ndarje familjare. Vëllait tim ia mori të shoqen ky djalë dhe e goditi me sëpatë. Ngjarja ka mbi një vit e gjysmë. Nuk besoj të jetë i njëjti autor, por nga goditjet që pashë janë me sende të rënda, nga ato që pashë unë në spital në Tiranë. Në Tiranë ndenji 15 ditë në koma, mjekët thanë se ishte në gjendje të rëndë. Ekspertiza nuk na dha përgjigje, por prokurorisë së Korçës. Ne po e varrosim vëllain, por duam të zbardhet ngjarja. Nuk e ka goditur kali, 1000%”, tha për Top Channel vëllai tjetër i viktimës, Ilia Ajredini.
Një tjetër dëshmi që ngre dyshime që 58 vjeçari është goditur me sende të forta, vjen nga daja i viktimës, i cili thotë se mjeku që e ka trajtuar në Tiranë, përjashton mundësinë që Jorgo Ajredini të jetë goditur nga kali.
“E çoi djali më përpara. Unë me vëllain e të ndjerit shkova në Tiranë dhe nuk dinin identitetin e nipit tim. Ia dhanë relacionin, infermierët thirrën doktorin. Kur vjen doktori thotë: ‘Çfarë u bë me këtë djalë? Çfarë e ke ti, Unë i thashë: ‘E kam nip’. Ai e ka vëlla. ‘Si u aksidentua ky person’, tha doktori. Ishte e dyta herë që e kishin goditur këtë djalë; qëlloi i njëjti mjek që kishte qenë edhe herën tjetër kur e kishin goditur. Vëllai tha: “Çfarë u bë këtu, kush e ka goditur?’ Ne e informuam se policia e Korçës tha se e kishte goditur kali, por ai na tha se nuk e ka goditur kali, por është goditur me mjete të forta. U nxeh duke shtuar: “Ku është policia e Korçës, pse nuk vjen këtu?” Ne i kërkuam ta shohim, por mjeku na tha: ‘Nesër do t’ju kontaktoj’. Pas dy ditësh e pamë, ishte në gjendje të rëndë”, tha Kostaq Kosturi.
Mësohet se policia dhe prokuroria e Korçës janë duke hetuar në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Deri më tani, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e dëshmitarëve dhe personave që kanë pasur dijeni, rreth 15 persona, mes të cilëve familjarë dhe banorë të fshatit Rëmbec. Që në momentin kur ndodhi ngjarja, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodheshin në zonë, të cilat janë administruar dhe po ekspertohen nga prokuroria. Ndërkohë, grupi hetimor është në pritje të raportit përfundimtar mjeko ligjor, i cili do të përcaktojë nëse vdekja e Jorgo Ajredinit është aksidentale ose kriminale.
Top Channel