
Dita e sotme shënjoi hapjen e procesit mësimor për nxënësit e kryeqytetit. Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ishte sot në shkollën “Kosova”, për të uruar nxënësit me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, teksa inspektoi përfundimin e rrugës te Shkolla te Kosova, që do jetë një fasilitet i shtuar për fëmijët.
Ristani shprehu bindjen se Bashkia e Tiranës do të vijojë projektet në mbështetje të mësuesve dhe nxënësve, për një vit mësimor sa më të suksesshëm.
“Jemi shumë të lumtur që e hapim ditën e parë të shkollës sot me një rrugë fantastike, si kjo këtu tek shkolla “Kosova”. Është në fakt vijimi i projekteve që ne kemi për rrugët për fëmijët që do të thotë të sigurojmë qarkullimin e fëmijëve që ecin në këmbë nëse banojnë pranë shkollës ku janë të regjistruar apo nëse shoqërohen nga prindërit me mjet të kenë mundësi që të zbresin në distancë nga shkolla në mënyrë që të mos bllokohet trafiku dhe kalimi i tyre përpara dhe pas shkollës dhe të jenë të sigurt mbi të gjitha në çdo moment kur hyjnë apo kur dalin nga shkolla”, u shpreh Ristani.
Mandej ajo shtoi se Bashkia e Tiranës do ndërhyje edhe në 20 rrugë të tilla pranë shkollave të kryeqytetit.
“Ky projekt është i financuar prej iniciativës së Bloomberg per infrastrukturën e biçikletave nga Filantropët e Bloomberg, dhe ka qenë një ndër programet ku kemi aplikuar si Bashki e Tiranës bashkë me 100 qytete të tjera dhe kemi fituar me financim të tyre dhe me punën e ndërmarrjes sonë, është bërë e mundur kjo rrugë, por ndërkohë që në plan kemi 20 të tilla. Disa prej tyre ju i keni parë që i kemi bërë në vitet e shkuara tek shkolla “Gjon Buzuku”, sipër në Kinostudio apo dhe në qendër të Tiranës tek ajo që ka qenë “11 Janari” që sot është “Edith Durham” e cila jo vetëm do të jetë një shkollë e re, por do të ketë edhe rrugën e saj që i parapriu shkollës së re. Jemi shumë të kënaqur sepse feedback-u ka qenë tejet pozitiv nga prindërit që i kanë shoqëruar fëmijët sot në mëngjes”, tha ajo.
Në fund Ristani falenderoi qytetarët për përkrahjen e tyre për çdo hapësirë që Bashkia Tiranë ja ka kthyer atyre për këmbësorë apo për biçikletë.
“Ka disa tipare të kësaj rruge që janë speciale dhe janë për herë të parë, si semafori në nivelin e syrit për çiklistët dhe për këmbësorët dhe nyjet tejet të sigurta të kalimit të rrugës, të qarkullimit të kryqëzimeve, mund të themi ky është kryqëzimi më i sigurt sot për sot në Tiranë dhe do të vijojmë me të tilla. Shumë faleminderit të gjithëve, suksese ditën e parë të shkollës dhe vit të mbarë”, përfundoi Ristani.
Top Channel