
Fatura e pensioneve për vitin 2026 do të jetë më e kripur. Më shumë se 200 miliardë lekë ose thënë ndryshe 2 miliardë euro do të shpenzohen për të moshuarit në vitin 2026.
Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore miratoi së fundmi tavanet buxhetore për vitin e ardhshëm ku planifikohet një rritje e shpenzimeve.
Teksa aktualisht për vitin 2025 shpenzimet janë planifikuar në vlerën e 192.3 miliardë lekëve apo 1.9 miliardë euro për vitin 2026 kjo vlerë do të rritet me 11.7 miliardë lekë. Nëse kjo shtesë do të shpërndahej proporcionalisht për të gjithë përfituesit, rezulton se çdo pensionist do të marrë mesatarisht rreth 16,220 lekë më shumë në vit, që përkthehet në rreth 1,350 lekë shtesë në muaj.
Për rreth 720 mijë pensionistë të ardhurat e mbledhura nga ISSH nuk mjafton dhe barra do ti bjerë edhe më shumë buxhetit të shtetit për këtë skemë që nga viti në vit është në rrezik. Aktualisht buxheti i shtetit për vitin 2025 financon këtë skemë deficitare me rreth 40 miliardë lekë ndërsa nga viti në vit mesa duket do të financojë më shumë. Ndërsa të ardhurat mbulojnë vetëm 76% të shpenzimeve.
Raporti midis kontribuuesve dhe përfituesve po ngushtohet ndjeshëm teksa 117 kontribuues paguajnë për pensionet e 100 pensionistëve.
Teksa për skemën e pensioneve po punohet nga qeveria në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, në dokumentin e politikave të moshimit thuhet se pensionet do të rriten me 50% në 5 vitet e ardhshme ndërsa do tu sigurohet edhe një pension i 13-të.
Kjo do të bënte që pensioni nga aktualisht në zonat urbane 18 mijë e 341 lekë në mbi 27 mijë e 511 lekë. Ndërsa në fshat do të arrijë në 16 mijë e 576 lekë.
Top Channel